Abdixhiku: Marrëveshja me të cilën u dakordua Kurti ka gjithçka, përveç njohjes

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit në Bruksel, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pajtua me propozimin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Abdixhiku në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë.

Për më tepër, siç tha ai marrëveshja mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve.

“Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat  e LDK-së, të bëra tashmë publike.  Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët”.

Postimi i plotë i Abdixhikut, pa ndërhyrje:

Sonte në Bruksel, kryeministri i Kosovës u pajtua me propozimin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat  e LDK-së, të bëra tashmë publike.

Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve.

Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët.

Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë.

LDK konsideron se menaxhimi tërësisht i gabuar i procesit të dialogut nga kryeministri i Kosovës përgjatë dy viteve të fundit, ka zhvendosur procesin e dialogut nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme. Përfundimi në mes të zgjedhjes së një marrëveshje të tillë dhe izolimit eventual të Kosovës janë përgjegjësi e këtij kryeministri.