Abdixhiku: Kurti nuk e ka nënshkruar Zajednicën, por ka sjellur diçka tjetër më të keqe

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar mocionin e tij për raportimin e kryeministrit, Albin Kurti në Kuvend.

Në fjalën e tij, Abdixhiku ka përsëritur pikat shqetësuese nga marrëveshja që Kurti është dakorduar e që sipas tij, është parathënia e marrëveshjes dhe neni 7 dhe 10 i propozimit të BE-së.

Ai tutje ka thënë se kryeministri në asnjë moment nuk ka folur për tejkalimin e trashëgimisë së të kaluarës.

“Frika e mazhorancës nga fjala jonë është veçse dëshmi e së vërtetës sonë. Kjo frikë, kjo çështje, tregon mungesën e plotë jo vetëm të unitetit tonë në dialog… Sikur ta kishte në mendje ky pushtet përballjen me Vuçiqin e jo luftën e brendshme në Kosovë, ndoshta do ta kuptonte më mirë marrëveshjen e pranuar më 27 shkurt. Ne kërkojmë të trajtojmë të gjithë marrëveshjen e arritur në Bruksel. Kjo marrëveshje ka 11 nene, një parathënie por edhe një aneks i pa bërë publik. Është insistimi yt që të flasim për parathënien e mbajtur fshehtë nga kryeministri i Kosovës në seancën raportuese e të lënë në gjysmë për dialogun. Në atë seancë, kryeministri në asnjë moment nuk ka folur për tejkalimin e trashëgimisë së të kaluarës”, ka thënë Abdixhiku.

Më tej, Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk mund të akuzohet për marrëveshjet paraprake në të cilat përfshihet edhe Asociacioni, por sipas tij, Kurti ka sjellur diçka më të keqe se këto.

“Në një rast të paprecedent, Kosova pajtohet pa paragjykimin e palëve mbi çështjen e statusit të vetë. Mendoni pak. Në një formulim të vetëm, ky kryeministër barazon mos-njohjen e Serbisë me vetë aktin e shpalljes së pavarësisë. Neutraliteti mbi statusin është dëm historik mbi Kosovën. Madje edhe marrëveshjet paraprake që kishte ambiguitet, kishte referencë vendimin e GJND-së mbi aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo marrëveshje Kurti-Vuçiq ka jo vetëm mungesë të njohjes në qendër të saj por edhe neutralitetin e statusit. E vërteta e vetme e substancës së kësaj marrëveshjes duhet të gjendet në nenin 7 dhe 10. Në këto dy nene gjejmë dy elemente qenësore të kësaj marrëveshjeje, për të cilën kryeministri duhet të raportojë sot. Sado që kryeministri që është munduar ta mbajë fshehtë, sidomos përpara bazës së vetë elektorale, ai ka paralajmëruar implementimin e marrëveshjeve paraprake, përfshirë edhe Asociacionin. Albin Kurti nuk e ka sjellë Asociacionin. Por, ajo çfarë po sjell ky kryeministër është pranimi i këtij Asociacioni përkundër kundërshtimit disa-vjeçar që ia ka bërë”, ka thënë ai.

“Ajo çka nuk dihet se çfarë ka pranuar janë definuar në nenin 7. Aty kryeministri Kurti ka hapur një dritare të re; fillimisht vetë-menaxhimin serb dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me qeverinë e Kosovës. Flitet për një nivel vetë-menaxhimi për një komunitet, atë serb. Çka ndodhi me pozicionin e tij? Meqenëse na ka thënë se është i zoti në dialog, na tregoi çka ka përfshirë në platformën për dialog. Kryeministri ka kërkuar marrëveshje ligjërisht të obligueshme, njohjen në qendër… Si një negociator i fortë, kryeministër na trego se sa nga këto i ke përfshirë në marrëveshje?”, tha tutje Abdixhiku.