Kryetari i LDK-së

Abdixhiku: Kurti e përdori pushtetin për arrogancë, propagandë e polarizim, menaxhoi 12 miliardë, s’la asnjë shenjë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbajtur mbledhjen e Këshilli të Përgjithshëm.

Aty, kryetari i këtij subjekti politik opozitar, Lumir Abdixhiku, ka kriitkuar ashpër pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje që drejtohet nga Albin Kurti.

“Përdori pushtetin për arrogancë, propagandë, polarizim”, ishte akuza e Abdixhikut drejtuar Kurtit.

Sipas tij, Kurti ka dështuar qeverisje. Abdixhiku tha se 12 miliardë euro ka menaxhuar për tri vjet – dhe shton se “s’la shenjë”.

Më poshtë fjalimi i plotë i Abdixhikut:

Zonja e zotërinj,

Të dashur anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,

Të dashur bashkëveprimtarë,

Jemi mbledhur sot këtu, në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm, në një moment pivotal, për të ardhmen e vendit dhe së këndejmi të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Jemi bërë bashkë, jo vetëm si përfaqësues më të lartë të kësaj shtëpie të demokracisë, por si veprimtarë e veprimtare, të dedikuara për vendin tonë, të përbashkuar rreth ëndrrës sonë të njëjtë për të tashmen dhe të ardhmen e Republikës, Kosova shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO dhe BE, e me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe kjo e ardhme duket e zymtë.

Kjo e ardhme duket e trishtë.

Ajo thërret për angazhimin tonë monumental, si garantues të vetëm politik të shtetësisë, si projektues të Republikës e si besimtarë të vet demokracisë.

Sot, teksa qëndrojmë në një udhëkryq kritik të vendit, të gjitha shtyllat identitare të Kosovës janë vënë në peshorën e fateve të popullistëve. Ato po gërmohen, po rrënohen dhe po tjetërsohen si synim ideologjik i mosbesuesve të pavarësisë.

Në këtë mision mosbesimi ndaj shtetësisë, të shpërfaqur tashmë dhe publikisht dhe krenarisht, përbashkimi i së djathtës në Kosovë bëhet domosdoshmëri. Ky përbashkim vjen si mision i ri politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Jo vetëm se ne jemi ruajtës të një trashëgimie historike 34 vjeçare, por sepse jemi kultivues aktiv të konceptit shtetar të Republikës.

Pa ne, ky koncept zhbëhet.

Pa ne, rrugëtimi euroatlantik, zhvillimi ekonomik e uniteti kombëtar nuk kanë gjasë, siç u pa tash e tre vite e gjysmë pushtet popullist e majtist.

Për popullin e Kosovës, tre vite e gjysmë, janë mjaftueshëm për të kuptuar jo vetëm qëllimin e një pushteti, jo vetëm mënyrën e bërjes politikë, por dhe aftësinë, përkatësisht paaftësinë, fundamentale për t’i dhënë zgjidhje problemeve të përditshme e, sidomos, atyre nacionale.

Për popullin e Kosovës, tre vite e gjysmë pushtet, janë mjaftueshëm për të kuptuar dhe përmbajtjen dhe formën e pushtetarëve, e fatmirësisht dhe për të parashikuar të ardhmen, rrjedhimisht, për të nxitur veprimin në të tashmen.

Dhe sot na duhet reflektim për këtë të ardhme!

Sepse ajo na vjen si projeksion i errët i këtyre tre viteve dështimi spektakular, në ekonomi, mirëqenie, arsim, shëndetësi, diplomaci e vet orientimin euroatlantik. Na vjen pra si rrezik, para të cilit, duhet të qëndrojmë si përgjegjës, si gjeneratë politike, si popull e si shoqëri!

Tre vite e gjysmë më parë, populli i Kosovës, i dha këtij pushteti besim të pashoq politik. I dha shumicën e pakontestueshme parlamentare, të drejtën e marrjes së vendimeve vet, dhe me këtë shumicë, i dha dhe gjithë përparësitë e një pushteti stabil, me fuqi politike si asnjë pushtet paraprak.

Para një fuqie të tillë, arsyetimet bëhen të pakuptimta.

Para një fuqie të tillë, dështimi bëhet paradoksal!

Aq vështirë është të dështosh me 51%, sa edhe dështimi në vete është një lloj mjeshtërie! Veçse e mbrapshtë!

Për fatin tonë të keq, dhe fatet e këqija paradoksalisht kombeve u vijnë në momentume kritike historike, fuqinë politike të një pushteti shumicë, që në demokraci përkthehet në fuqi absolute, ky pushtet nuk e përdori për të avancuar shtetin në rrugëtimin e domosdoshëm konsolidues dhe në një moment shumë të favorshëm ndërkombëtar, por e përdori për të ushtruar arrogancë, për të ushqyer propagandë, e për të ndjellë polarizim ndërshoqëror, që vendin tonë të vogël e ndau thellë, e mbylli rëndë dhe e kurthoj keq!

Dhe sot jemi pikërisht këtu!

Ndarja jonë është urrejtëse.

Mundësitë tona janë të humbura. Pasojat janë të pashmangshme!

Mes ankesave të së shkuarës e propagandës si synim të mbulimit të mospunës – gjuhë e model që e dëgjojmë në secilin veprim të tyre, mes gjuhës ofenduese ndaj spektrit politik, kërcënuese ndaj kritikëve në shoqëri, përplasëse me palë të treta në vend, me mësues, mjek, polic, gjyqtarë, prokurorë, biznese, media, e me aleat, pushteti në fund të një mandati me kaq fuqi, na vjen sikurse në ditë të parë të tij – pa rezultat, me ankesa për të kaluarën e me fajësim të secilit, përveç vetes, për dështime të paimagjinuara më parë.

Tre vite e gjysmë pas, kemi vite të ikura në pashfrytëzim, sikurse dhe pasoja të pariparueshme në vijim!

Këto pasoja mbajnë emrin e një vendi pa kredibilitet ndërkombëtar, të izoluar në një anë e me kushte të autonomisë territoriale në anën tjetër; mbajnë emrin e të 173 kosovarëve që largohen çdo ditë në kërkim të një atdheu të ri, mbajnë emrin e një popullsie në zvogëlim, e një ekonomie në deficit të thellë tregtar, e një rritje të pamjaftueshme ekonomike, e investimeve kapitale më të ulëta në gjithë historinë e pas pavarësisë! Pra mbajnë emrin e  shndërrimit gradual të Kosovës nga një vend që kërkonte shpresë, në një vend të zymtë, të mbyllur e pa perspektivë!

Le të rikutjojmë sot, se dialogu i tyre, në gjithë autorësinë e një pushteti të plotfuqishëm politik, përfundoj nga një marrëveshje përfundimtare me njohje në qendër të saj, në një marrëveshje të ndërmjetme, pa paragjykim mbi statusin tonë politik, me kapërcim për të shkuarën, e mbi të gjitha, me vetmenaxhimin e serbëve si zëvendësim i detyrimit paraprak ndërkombëtar.

Ky koncept vetmenaxhimi, u formësua në një dokument statut që parashkruan autonominë territoriale të serbëve në Kosovë, siç dhe shtron materien kushtetuese të pushtetit të Serbisë si shtet në Kosovë. Dhe ky dokument u pranua ndërkombëtarisht nga ky pushtet absolut! Sepse u pranua, i njëjti na vjen si kushtëzim tani e tutje në çdo përpjekje tonë për anëtarësim. Akt më të lartë shpërbërës ndaj shtetësisë, nuk ka bërë deri më tani asnjë!

Ta kuptojmë qartë; Autonomia e tyre sot na vjen si rrezik kombëtar!

Kushtëzimet ndaj Kosovës për shkak të dialogut të popullistëve, sot na vijnë si barrë e kësaj gjenerate dhe gjeneratave që vijnë pas! Dështimet anëtarësuese e njohëse, si ai në Këshillin e Evropës, na vijnë si pasojë e gjithë këtyre veprimeve bashkë!

Dua ta bëjë të qartë, dështimi në anëtarësim në Këshillin e Evropës, si një derë e hapur pas rrethanave gjeopolitike në kontinent, është goditje e rëndë e rrugëtimit të vështirë integrues të Republikës së Kosovës, sfidat e së cilës nuk janë të njëjta me asnjë shtet në rajon. Mungesa e kredibilitetit të institucioneve të Kosovës, e vendosë shtetin tonë gjithherë në pozicion të pafavorshëm diplomatik. S’mund të integrohesh me kaq pak kredibilitet. Kushtëzimi ynë, ndërsa, e bën të kushtueshëm secilin hap tonin përpara.

Prandaj, popullistët e tillë të sjellin gjithherë në zgjidhje të vështira. Ku pranimi i kushtëzimit është rrënim i shtetit, e ku mosavancimi euroatlantik është humbje e shanseve historike, pra ngufatje e shtetit.

Para një zgjedhje të tillë, pushteti ka zgjedhë ndërprerjen.

Ndërprerjen e integrimit euroatlantik si qëllim konkret e jo vetëm deklarativ. Dhe me këtë veprim ndërprerjeje, ky pushtet ka zgjedhur dhe kapërcimin nga koncepti i konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë në një status quo integruese jashtë, e në nxitje të shtigjeve ndaj aleatëve brenda.

Prandaj, në fatkeqësinë më të madhe politike, Kosova, Republika jonë, institucionet e vendit nuk kanë asnjë qartësi për hapat përpara.

Këtë dështim spektakular në diplomaci, ata e thërrasin dinjitet! I thonë patriotizëm përballë Serbisë. Veçse ne jemi të sanksionuar, veçse ne mbesim të kushtëzuar, veçse ne mbesim pa anëtarësim ndërkombëtar, veçse ne mbesim me kusht të autonomisë territoriale si problem me të cilën duhet të merremi ne pas!

Tani si duket brenda Kosovës ky dinjitet popullist?

Jam i bindur, se teksa flasim ne sot këtu, pushteti me gjithë investimin propagandues, produktin e vetëm të tyre të punës, synon t’ua shërbejë qytetarëve tanë një realitet paralel. Atë të numrave selektiv, për t’i bindur disi ata, se barra e ndjerë mbi supet dhe kurrizin e tyre, atë të familjeve e të fëmijëve tyre, atë të vërtetën që e ndjenjë mes sofrës së shtëpisë, atë barrë do të provojnë t’ua bëjnë të pavërtetë!

Por ajo s’mund të fshihet! As të zbukurohet.

S’mund të fshihet fakti që për tre vite e gjysmë, për shkak të inflacionit më të lartë në gjithë historinë tonë shtetare, çdo kosovar është varfëruar për një të tretën e të hyrave të tij. Plot 28% është inflacioni zyrtar në këto tre vite sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Për produkte bazike, për qumësht, vaj, bukë, krip, vezë e perime, sipas po të njëjtës Agjenci, rritja e çmimeve në tre vitet e gjysmë të tyre kapërcen plot 45%.

S’mund të fshihet fakti se ekonomia e Kosovës është thelluar në zymtësi investuese e në ngecje të paprecedentë të potencialit zhvillues. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vetëm gjatë këtyre tre viteve, deficiti tregtar është rritur nga 3 miliardë euro në plot 5 miliardë euro. Kaq është diferenca e sotme mes eksporteve dhe importeve. Hendekun e 20 viteve të shkuara kanë arritur pothuajse ta dyfishojnë në vetëm 3 vjet!

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, rritja e proklamuar ekonomike, në mesatare gjatë këtyre tre vite e gjysmë, është më e ulët se rritja ekonomike e 10 viteve të paspavarësisë. Pra modeli majtist e popullist nuk po arrinë t’i mbërrijnë as rezultatet e paspavarësisë. Me këtë trend rritës, vendit tonë do t’i duhen plot 40 vite për të arritur Kroacinë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, investimet kapitale të nivelit qendror janë vetëm 11% e gjithë buxhetit qendror; përkatësisht për gjysmë më pak se sa e gjithë periudha e pospavarësisë. Pa investime nuk ka zhvillim. Pa zhvillim nuk ka rritje të mjaftueshme ekonomike. Pa rritje të mjaftueshme ekonomike ka deficit të lartë tregtar, rrjedhimisht varësi në çmime, rrjedhimisht inflacion gati 30% – përfundimisht ikje e zbrazje të Kosovës, nga njerëzit e nga bizneset e saj!

Investimet kapitale, projektet e mëdha, shenjat e rëndësishme zhvillimore, nuk kanë marrë vetëm goditje të paaftësisë; por kanë marrë goditje ideologjike. Bizneset janë dënuar sepse në logjikën e majtë ato po fitojnë. Sot, me mijëra biznese, anembanë Kosovës, janë në presionin sistematik të agjencive shtetërore e inspektimeve që kanë qëllim dënimin e domosdoshëm të tyre. Shteti duhet të jetë partner i krijuesve. Shteti duhet të jetë në krah të bizneseve kosovare jo mbi ta!

Projektet kombëtare nuk janë zhvilluar sepse ato kërkojnë më shumë se sa fjalë e propagandë. Kërkojnë angazhim. Kjo qeveri, si asnjë qeveri më parë, ka pasur plot 12 miliardë euro buxhet nën menaxhim, dhe sërish, nuk ka arritur të lë një shenjë, as në rrugë, as në shëndetësi, as në arsim, as në sport, as në energjetikë! Me 12 miliardë euro buxhet, me 51% pushtet, me rrethana të favorshme gjeopolitike, Kosova do të duhej të ishte shtet model!

Ne jemi megjithatë diku model si shtet. Në dhënien e tenderëve sekret! Për vetëm tre vite, plot 871 kontrata sekrete në vlerë prej 250 milion eurove janë dhënë nën këtë qeveri. Pa procedura konkurruese, pa garë, pa ligj, sy më sy, drejtpërsëdrejti, plot 250 milionë euro janë shpërndarë për tre vjet. Çdo ditë, për çdo ditë, në Kosovë nënshkruhet nga një tender sekret!

Paradoksalisht, rastet korruptive, të ambasadorëve si ndërmjetësues të mafisë energjetike, të drejtorëve të korporatave publike në arrest e dënime, të keqpërdoruesve të rezervave shtetërore, kanë marrë mbështetjen e drejtpërdrejtë të pushtetit. Prandaj sot, Kosova na përshkruhet në raporte ndërkombëtare si shtet me “korrupsion serioz qeveritar”!

Mbrojtje publike, madje me arrogancë sulmuese, kanë marrë dhe gjithë shkelësit e Kushtetutës; ata, që janë betuar se do ta mbrojnë atë. Plot 7 herë, në 3 vjet e gjysmë, ministra të kësaj qeverie kanë prodhuar ligje antikushtetuese. Përkundër kohës së humbur, e humbjes fundja të vet reformës, prapa dështimit të tillë qëndron një mendësi e kontrollit të rrezikshëm. E prapa sulmeve ndaj institucioneve të pavarura qëndron përbuzja e vet demokracisë. Sepse popullistët e shohin veten mbi shtetin. Gjithçka, dhe populli dhe shteti, në shërbim të vetes!

Të dashur anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,

Të tre vitet e gjysmë të shkuara, janë të humbura. Ato nuk kthehen më. Insistimi në mbrojtjen e tyre nga pushteti është model projektues i së ardhmes. Kjo e ardhme do të na vijë sikurse e tashmja. Pra të ardhmen e tyre e dimë! Ajo, e familjeve kosovare në mbijetesë. E pagave të pangritura sa ngritja e çmimeve, e projekteve të domosdoshme që s’bëhen kurrë, e një vendi që s’ka rrugëtim euroatlantik, e një pushteti të investuar në ndarje e përçarje para investimit në përbashkim.

Këtë të ardhme nuk guxojmë ta projektojmë ne si LDK.

Ky moment na thërret në përgjegjësi! Kjo përgjegjësi është më e afërt tani. Sepse, pas tre vite e gjysmë pushteti absolut, kjo qeveri është jo vetëm e  dorëzuar, jo vetëm e paaftë të krijojë shpresë, por është faktikisht e dorëhequr. Duhet legalizim i kësaj dorëheqje për të kthyer mundësinë e shpresës së vërtetë në këtë vend.​

Dhe pikërisht kjo ishte përgjigja ime dhe e Lidhjes Demokratike në ftesën për darkën e vonuar që duket të dalë dhe e gabuar!

Pas tre vjet e gjysmë popullizëm e mungesë progresi thelbësor, pas tre vjet e gjysmë polarizim, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, pushteti kishte menduar zgjedhjen e instrumentalizimit të opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh.

Fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim ka gjetur një aleat.

Por siç e kam thënë më parë, siç e them tani dhe do ta them secilën herë, që të na dëgjojnë më mirë e më qartë, Lidhja Demokratike e Kosovës refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik, që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë. LDK-ja farsave të tilla u jep përgjigje në mobilizim nacional të djathtë e patriotik! Derisa ata kthehen në origjinë, ne shikojmë drejt hijes së trashëgimisë së patriotëve të mëdhenj që bënë Lidhjen tonë dhe Kosovën të jetë të veçantë! Aty gjejmë dhe nevojën për përbashkim e për ringritje si një.

Prandaj,

Të bashkuarit le të caktojnë datën.

Të djathtit, ne, do ta caktojmë festën!

LDK-ja është e gatshme të kërkojë besimin qytetar, e gatshme të marrë dhe përgjegjësinë e të projektojë të ardhmen që ky pushtet ka ngufatur me qëllim!

Për të bërë këtë gjë, ka vetëm një rrugë, i thonë dorëheqje e menjëhershme e Qeverisë, si përgjegjëse e vetme e rrënimit të shtetësisë, krijimit të autonomisë, ngecjes ekonomike, polarizimit kombëtar, e eksodit të popullsisë! Fillimisht dorëheqja, më pas shpërbërja, në fund zgjedhjet!

Ky është qëndrimi i LDK-së!

Rrugëtimi ynë është i destinuar të jetë mes njerëzve të vendit. Atyre të harruarve që janë lënë në mëshirën e përballjeve të përditshme. LDK-në duhet ta mbajmë ku dhe ka nisur, mes popullit, zërit qytetar, nga ku buron dhe projeksioni ynë rugovist e i djathtë!

Për të bërë këtë gjë, gjatë 80 ditëve të shkuara, kam bërë plot 174 takime e tubime me qytetarë në Kosovë e mërgatë. Kam takuar kryefamiljarë nëpër fshatra që ndihen sot të mashtruar. Kam takuar të rinj e të reja, ëndrrat e të cilëve po shuhen secilën ditë. Kam takuar mësues e mjek, polic e ushtarë, që kanë nevojë shtetin të ju ofrojë mirëqenien për punën e madhe që bëjnë çdo ditë. Kam takur prindër që mbajnë nga një punë dhe mezi ja dalin t’i plotësojnë kushtet minimale për rritjen e fëmijëve të tyre në Kosovë.

Kam takuar biznese, që kanë nevojë për politika që u hapin dyert e investimeve në hap me çdo shtet në rajon. Dhe më shumë! Kam takuar punëtorët që duan paga të larta, punë të dinjitetshme; duan jetë në Kosovë.

Në këto takime, kam parë të vërtetën tonë. Atë që sot po mbulohet nga propaganda e urrejtja, nga politika fajësuese jo ajo zgjidhëse.

Ju ftoj të bëni të njëjtin rrugëtim secili prej jush në çdo anë. Të ecni hapave të njerëzve tanë, e të përbrendësoni kuptimin e vet Lidhjes Demokratike të Kosovës, siç ishte në origjinë.

Të trokisni dyert e familjeve kosovare për të qenë me ta.

Të punësuarve në sektor publik, atyre që mbajnë vet shtetin, ju flisni për koeficientin 150! Që në ditën e parë të Qeverisë së djathtë, për rritjen e pagave si asnjëherë më parë. Familjeve kosovare, ju flisni për Ministrinë e Familjes dhe Mirëqenies, si një trup institucional që do të kujdeset që pasuria më e madhe e jona, familja, si koncept tradicional i organizimit tonë shoqëror do të ketë shtetin si proejktues e mbështetës së saj! Prindërve të rinj, ju flisni për ushqim, e përkujdesje fillestare falas për çdo të posalindur. Secili fëmijë i posalindur në Kosovë, nën qeverisjen tonë të djathtë, do të ketë qumësht, ushqim e produkte higjienike të mbuluar në tërësi nga Republika. Që brenga e fundit e prindërve të jetë mirëqenia e pasurisë së posalindur të tyre! Prindërve, ju flisni për pakon e fëmijës së tretë si ndihmesë për familjen; si parakusht i shtimit tonë nacional!

Bizneseve kosovare ju flisni për 5 miliardë euro investime në 4 vjet, dhe zhbllokimin e kapitalit në vend. Tregojuni për përfundimin e të gjitha rrugëve në vend, për centralin 500 milionësh me gaz, për gazifikimin e Kosovës më pas. Tregojuni për investimet 120 milionëshe në turizëm në Brezovicë e Dukagjin. Sportistëve ju flisni për 5 stadiumet e reja rajonale e për Qendrën kombëtare të Sportit. Të rinjve ju flisni për gjysmë miliardë euro investime tona në teknologji informative, si shtytës i madh i kapërcimit tonë nacional! Ju flisni për inteligjencën artificiale, parqet teknologjike, 40 mijë trajnimet e kodimin në shkollat kosovare!

Flisni për shkollat me mësim gjithëditor, e për një arsim të reformuar kur një fëmijë i klasës së pestë në Kosovë nuk ka dijen e kapacitetet e një fëmije në klasë të dytë në Evropë – siç është tani! Trishtim e dështim!

Atyre në listë të pritjes, në mungesë të barnave esenciale, të gjithë kosovarëve që japin nga 110 milion euro çdo vit për shërim në Maqedoni e Turqi, ju flisni për investimin tonë 250 milionësh në një spital krejt të ri, për sigurimet shëndetësore e digjitalizimin e plotë të shëndetësisë.

Ofroni pra Rrugën e Re si shpëtim kombëtar.

Si një plan të djathtë, si një ambicie kolektive që na nxjerrë nga zymtësia popullsite që këta japin tani!

Ne ofrojmë shpresë, jo vetëm retorikë!

Ne ofrojmë zgjidhje, jo vetëm premtime!

Ne ofrojmë vizion, jo vetëm kritikë!

Si anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, si përfaqësues më të lartë të këtij formacioni pavarësist e shtetar; si bartës të fatit tonë historik, ju takon ta bëni këtë rrugë, tani, në këtë moment. Ju dhe secili anëtar tjetër i yni në Kosovë e në Mërgatë. Sepse, zgjedhjet e ardhshme nuk vënë në peshore vetëm fatin e një qeverie, por përcaktojnë dhe fatin tonë si Republikë dhe si gjeneratë.

Këtë kohë të mbetur, duhet ta shfrytëzojmë. Jo me arrogancë, jo me urrejtje, por me përafrim ndaj secilit. Edhe ndaj atyre që nuk mendojnë si ne. Lidhja Demokratike e Kosovës, duhet të shndërrohet sërish në një emërtim që përqafon vlerat më të mira të popullit të Kosovës, që i përafron njerëzit më të zot të vendit, e që rrugëton me plot siguri drejt udhëtimit tonë origjinal euroatlantik.

Dhe gjithë këtë punë duhet ta bëjmë me fokus në zhvillim. Që Kosova, vendi i të parëve tanë, vendi ynë, vendi i brezave që vijnë, të jetë vend në zhvillim e hov ekonomik. Vend që jep dinjitet për secilën shtresë, për secilën familje, për secilin individ.

Ne kemi gjetur rrugën tonë tashmë. Rruga e Re është zgjidhja!

Le ta gjejmë rrugën e Kosovës tani.

Le të bëhemi bashkë. Le të qëndrojmë krah njëri-tjetrit. Le t’i japim vetes një familje të fortë politike, e t’i japim Kosovës, fëmijëve tanë e gjeneratave të tjera, një të ardhme euroatlantike.

Zoti e bekoftë Kosovën.

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës.