Abdixhiku indirekt tregon se synon të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës

Lumir Abixhiku është njeriu më i votuar i LDK-së në Prishtinë pas Vjosa Osmanit. Një gjë të tillë e ka potencuar edhe vetë ai në një shkrim në profilin e tij në ‘Facebook’, pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Abdixhiku teksa ka komentuar këtë rezultat të arritur në Prishtinë, ka thënë se votuesi i LDK-së ia ka bërë të qartë rrugëtimin e tij politik, duke dhënë sinjale se do t’i futet garës për kreun e kryeqytetit në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vitin 2021.

“Tash që u shpallën rezultatet përfundimtare, më duhet t’i falenderojë nga zemra plot 29,565 votuesit e mi. Është hera e dytë që marr një mbështetje të tillë. Kështu, kaq shumë, përveç nderit më jepni dhe përgjegjësi. Në veçanti, por jo për dallim, më duhet t’i falënderojë plot 10,168 votuesit e mi në Prishtinë. Më bëtë ndër më të votuarit në kryeqytet, në qytetin tim. Dhe me këtë, më shumë se kurrë, ma bëtë të qartë drejtimin e angazhimit tim politik”, ka shkruar Abdixhiku.

Express ditë më parë ka raportuar edhe për garën e brendshme në LDK që ishte bërë në zgjedhjet nacionale, në atë se cili prej kandidatëve për deputetë nga Prishtina do të merrte më së shumti vota në kryeqytet. Abixhiku është pakrahasimisht shumë më lart se Arban Abrashi e Besian Mustafa, si në Prishtinë, gjithashtu edhe në nivel të përgjithshëm.

Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit është parë edhe si tregues i vullnetit të sovranit rreth asaj se kush do të duhet të jetë kandidat për Prishtinën, jo vetëm për LDK-në por edhe për PDK-në dhe Vetëvendosjen.

Nga PDK-ja dukshëm më i votuar në Prishtinë ka dalë Uran Ismaili, ndërsa nga Vetëvendosja duket se ish-drejtori i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të jetë i pakontestueshëm.

loading…