Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili paralajmëroi se mund të bllokohet buxheti për komunat që nuk drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku e ka cilësuar këtë si një kërcënim dhe përpjekje për bllokim, duke theksuar se qytetarët nuk do të ndalen përpara retorikës populiste. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Prishtinës që të mobilizohen për balotazhin e 9 nëntorit, duke e paraqitur kryeqytetin si shembull të një qeverisjeje që po ndriçon më shumë se kurrë.

“Nuk do t’iu vie rendi të ndalni asgjë. Nuk do t’iu vie rendi të bllokoni më askënd. Me një panoramë Kryeqyteti, i cili po ndriçohet si asnjëherë më parë nga LDK dhe qeverisja jonë këtu, le të nisim javën e madhe të balotazhit. Të dielën, me 9 nëntor, Prishtina flet e para! Dritë do të ketë!”, shkroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së shtoi se Prishtina do t’i japë besimin e saj LDK-së, duke e cilësuar këtë si “triunf të kohës dhe etapë të re për gjithë Kosovën”.

Ky reagim vjen në prag të balotazhit për zgjedhjet lokale, në të cilat LDK synon të mbajë kontrollin mbi kryeqytetin, ndërsa VV ka paralajmëruar përplasje politike në rast të rezultateve të pafavorshme.