Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar pritjet e partisë për zgjedhjet lokale. Ai ka thënë se LDK-ja në zgjedhje lokale hyn si prijëse, dhe ka synim të dëshmojë organizimin politik. Abdixhiku në “Rubikon” në Klan Kosova theksoi se LDK ka kandidatura të shkëlqyera.

“Është shumë me rëndësi sepse lidhet me besimin e partisë. Po futemi në garë për të ridëshmuar mbështetje të qytetarëve që kemi në zgjedhje lokale. Vimë në këtë garë si partive prijëse për zgjedhje lokale. Kjo dëshmon shumë për organizimin tonë politik, ose kërkon më tepër kohë për t’u përkthyer në nivel nacional. Në këtë fazë jemi të gatshëm, kemi kandidatura të shkëlqyera, të shtunën do të kemi hapje të madhe”, tha kryetari i LDK-së.

Ai u shpreh i bindur se do të triumfojnë edhe në komuna ku nuk qeverisin aktualisht. “Jemi të bindur edhe prej matjeve që në pjesën e madhe të garave do të kemi fitore të LDK-së, edhe në qytete ku kemi qeverisur, edhe ku nuk kemi qeverisur. Në Gjilan, Llap, Suharekë e qytete të tjera”, tha Lumir Abdixhiku.