Kreu i LDK-së

Abdixhiku: Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim

Në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përkujton sakrificën sublime të familjes Jashari.

Në njoftimin e LDK-së thuhet se Abdixhiku ka thënë se datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim, sakrificën sublime të familjes Jashari e me këtë dhe fillimin e fundit të përpjekjes sonë shekullore për liri.

“Flijimi i familjes Jashari në altarin e lirisë, ishte sakrificë ultime e gdhendur në mendjen e mësuesit Shaban Jasharit, të Komandantit legjendar Adem Jashari e të Hamëz Jasharit. Ata zgjodhëm lirinë prandaj dhe morën përjetësinë”.

“Rënia heroike e tyre, përballë forcave ushtarake e paraushtarake të Serbisë, ishte kushtrim për një popull të tërë. Ishte këmbanë për luftën dhe përpjekjen tonë kolektive drejt lirisë, e për aleancat e ardhshme që do të rreshtoheshin me idealin e tyre e tonin pa dallim”.

“Sot, në këtë 26 vjetor të Epopesë së UÇK-së, ne i kujtojmë me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat më të mirë të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot. Është obligim i secilit nga ne që të punojmë fort çdo ditë e më shumë në forcimin dhe avancimin e shtetit tonë, sepse vetëm kështu i nderojmë dhe e dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.