Kurti-Abdixhiku

Abdixhiku akuzon Kurtin: Kryepopulist me përçarje urrejtëse

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti kryepopulist, duke thënë se ai është i zënë me zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, derisa e ka akuzuar për propagandë e përçarje urrejtëse.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook të mërkurën se Kurti gjatë mandatit të tij i ka menaxhuar 12 miliardë euro, por prapë “asnjë shenjë”.

“Gjersa kryepopulisti ynë është i zënë me zgjedhjet ndërshqiptare në Maqedoni, edhe krahasimi me vendet fqinje ka nisë të mos ketë më kuptim. Është në vitin e katërt të Qeverisë. Do të ketë menaxhuar plot 12 miliardë euro për këto katër vjet; më shumë se secili njeri në histori të vendit; dhe prapë asnjë shenjë! Propagandë, fjalë të thata e përçarje urrejtëse – ky është diskursi politik sot”, ka thënë kreu i LDK-së.

Sipas deputetit të partisë opozitare, LDK-ja është zgjidhja, derisa ka premtuar se mësimdhënësve do t’ua rrisë pagat për 23 për qind.