Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka postuar në Facebook fjalën në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.

Ai ka thënë “shpresoj që Zoti më jep forcë, dije e maturi, të ju prijë në këtë garë me dinjitet”.

Abdixhiku i tha Këshillit të Përgjitshëm të LDK-së se janë mbledhur për një thirrje që vjen ata që janë mashtruar nga populizmi e dëmtuar nga propaganda

“Jemi mbledhur për një thirrje që na vjen vazhdimisht nga e gjithë Kosova; nga njerëzit e këtij vendi të lënë në harresë, nga ata të mashtruarit nga popullizmi, nga ata të dëmtuarit nga propaganda, nga ata që kanë humbur shpresën në vendin e vet, dhe presin një ëndërr të ju kumtohet nëpërmjet një rruge të re”, ka thënë ndër tjerash ai. 

Fjalimi i plotë:

Shpresoj që Zoti më jep forcë, dije e maturi, të ju prijë në këtë garë me dinjitet.

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,​
Të nderuar miq, veprimtarë, bashkëpunëtorë,​
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sot jemi mbledhur, ne anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, jo vetëm për një vendimmarrje partiake. Jemi mbledhur për një moment të veçantë për fatin e Republikës. Jemi mbledhur për një përgjegjësi që e tejkalon secilin prej nesh individualisht. Përgjegjësinë ndaj vendit, ndaj shtetit ndaj vet atdheut.

Jemi mbledhur për një thirrje që na vjen vazhdimisht nga e gjithë Kosova; nga njerëzit e këtij vendi të lënë në harresë, nga ata të mashtruarit nga popullizmi, nga ata të dëmtuarit nga propaganda, nga ata që kanë humbur shpresën në vendin e vet, dhe presin një ëndërr të ju kumtohet nëpërmjet një rruge të re.

Prandaj, sot, në këtë sallë, nuk mblidhemi vetëm si Këshill i Përgjithshëm i një partie politike. Mblidhemi si ndërtues të një të ardhme që i duhet vendit; si trashëgimtarë të një rruge të gjatë, të një formacioni politik që i ka dhënë Kosovës shtetin, lirinë, pavarësinë, dhe standardin moral të një politike të përgjegjshme.
Jemi mbledhur për të folur hapur, për të vendosur drejt, dhe për t’i dhënë Kosovës përgjigjen që e ka kërkuar prej nesh: një drejtim të ri, një shpresë të re dhe një rrugë që i kthen vendit dinjitetin institucional.

Ky takim nuk është thjesht formalitet. Nuk është një mbledhje rutinë. Është një thirrje e kohës. Është përgjigjja jonë ndaj sfidës më të madhe që ka kaluar Kosova pas pavarësisë. Është momenti kur LDK-ja, partia e shtetformimit, ngrihet sërish për të dhënë zgjidhje.

Kjo është arsyeja pse jemi sot këtu: për të marrë vendime që nuk i shërbejnë partisë, por Kosovës; vendime që nuk i shërbejnë interesit të ngushtë, por të ardhmes së vendit.

LDK po hyn në një garë të re elektorale me një forcë që nuk vjen vetëm nga numrat elektoral, por nga përvoja, qëndrueshmëria dhe trashëgimia jonë. Ne nuk jemi parti e improvizimeve dhe as e krizave të rreme. Jemi parti e organizimit, e maturisë, e shtetit. Dhe sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë pikërisht për këtë forcë – forcën tonë.

Kemi ardhur këtu me një pritje të qartë: që nga kjo mbledhje të dalë një mesazh i fuqishëm për vendin. Që nga kjo sallë të niset rruga e ndryshimit. Që Këshilli i Përgjithshëm të flasë me një zë dhe me një vendim që reflekton besimin e qytetarëve tanë. Sepse qytetarët e Kosovës na shikojnë sot. Na dëgjojnë. Na matin. Dhe nga ne presin seriozitet, unitet dhe drejtim.

-2-

Të dashur bashkëveprimtarë,​

Kosova që gjejmë sot nuk është Kosova që e kemi ëndërruar. Nuk është ajo për të cilën punuam, sakrifikuam dhe luftuam. Sot, vendi ynë është i lodhur nga konfliktet, i rraskapitur nga krizat e paarsyeshme dhe i mbytur në përplasje të panevojshme politike.

Është një Kosovë e futur në qorrsokak institucional, e humbur në aventurat e një pushteti që nuk e njeh moralin demokratik, as përgjegjësinë shtetare, edhe më pak aleancën strategjike që e ka mbajtur këtë vend të sigurt për dekada.

Kemi një ekonomi të ngurtë, të pasigurt, me biznese të lodhura, me investime të bllokuara, me potenciale të mbyllura e të mbytura dhe me njerëz të dëshpëruar që kërkojnë punë stabile.

Kemi një shëndetësi të braktisur, me spitale pa mjete dhe me mjekë që largohen çdo ditë. Kemi një arsim që ushqen diploma, por jo dije, që prodhon letra, por jo shpresë, që lëshon certifikata, por jo të ardhme.
Kemi institucione që janë kthyer në arenë përplasjeje, e jo në motor zhvillimi.

Në arenën ndërkombëtare, Kosova është më e izoluar se kurrë. Një vend pa përfaqësim në Këshillin e Evropës, pa lëvizje në integrime, nën masa të BE-së, në konflikt të hapur me partnerët strategjikë, tani edhe pa dialog strategjik me SHBA-të; duke humbur çdo ditë miq të çmuar që na kanë qëndruar pranë kur askush tjetër s’na besonte.

Kjo është plagë për shtetin tonë. Dhe është pasojë direkte e një pushteti që nuk njeh kufi, nuk njeh dinjitet e nuk njeh përgjegjësi.

Gjithandej ku shkoj, takoj njerëz të brengosur. Djem e vajza që mendojnë largimin. Punëtorë që rrinë pa paga të mjaftueshme. Familje që mezi ja dalin muajit. Biznese që punojnë nën kërcënim të përditshëm nga inspektorate politike e partiake. Qytetarë që më pyesin çdo ditë: A ka shpresë? A ka një rrugë tjetër? A ka një forcë që mund ta kthejë vendin nga kjo humnerë?

Po, ka. Ka qenë gjithmonë. ​
Është Lidhja Demokratike e Kosovës.

LDK ka qenë forca e qetësisë kur vendi kishte frikë. Ka qenë forca e arsyes kur vendi kishte pasiguri. Ka qenë forca e shtetit kur vendi rrezikonte shpërbërje. Ka qenë forca e besës kur vendi luftonte për jetë. Ka qenë forca e Rugovës kur askush nuk besonte se rruga e tij mund të fitonte.

Dhe sot, LDK është sërish ajo forcë. Forca që mbledh njerëzit rreth vlerave, jo rreth frikës. Rreth planeve, jo rreth improvizimeve. Rreth vizionit, jo rreth hakmarrjeve të vogla politike. Rreth shtetit, jo rreth individëve.

E prandaj, në këtë moment, nga kjo sallë, duhet të dalë një mesazh i qartë për çdo qytetar të Kosovës: LDK është gati.

Gati të marrë timonin e vendit. Gati të japë qeverisje të dinjitetshme. Gati të zhbëjë dëmet e bëra. Gati të sjellë standard evropian të punës. Gati të rikthejë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike. Gati të rifitojë besimin e qytetarëve dhe respektin e aleatëve.

Nuk do të jetë e lehtë. Dhe askush nga ne nuk është këtu sepse kërkon rrugë të lehta. Jemi këtu sepse jemi të detyruar. Sepse besojmë. Sepse kemi përgjegjësi. Sepse Kosova ka nevojë për ne, më shumë se kurrë më parë.

  • 3 –

Kosova ka nevojë për ne sepse për një vit të plotë mbetëm në krizë. Dhjetë muaj me radhë, Republika e Kosovës është mbajtur në bllokadë nga dikush që nuk e kupton demokracinë. Nga dikush që nuk e njeh rregullin themelor se shumica ndërtohet – nuk improvizohet; se legjitimiteti fitohet në Kuvend dhe tek qytetari e jo në propagandë.

Dhjetë muaj, vendi ka qenë peng i një njeriu që ka dashur të qeverisë pa shumicë, pa numra, pa besim, pa legjitimitet demokratik. Dhe një pushtet pa legjitimitet, nuk është më qeverisje – është uzurpim.
Përkundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, përkundër 48 shkeljeve të konfirmuara, përkundër konstatimeve të Gjykatës Supreme për uzurpim, përkundër çdo norme ligjore dhe çdo standardi demokratik, sot kemi – në i thënshin ashtu – një kryeministër në detyrë e deputet, që vazhdon të qëndrojë në detyrë pa legjitimitet.

Kemi ministra që qëndrojnë në detyrë pa të drejtë. Kemi deputetë që mbajnë dy funksione në kundërshtim me Kushtetutë. Kemi një qeveri që sillet sikur ligji vlen për të tjerët, por jo për ta. Kemi uzurpim të pastër të institucioneve të Kosovës nga njerëz që e dinë se nuk kanë shumicë, nuk kanë mandat, nuk kanë besim – por nuk duan të lëshojnë karrigen.

Nuk e lëshojnë karrigen sepse – më besoni – me sasinë e krimit dhe hajnisë së bërë në institucione për këto pesë vjet, me gjithë mafinë energjetike të një ‘Vuku’ që vendos për Kosovën dhe ka lëshuar rrënjë në këtë vend, me devijimin e madh kombëtar të prishjes së rendit të shtetit, ju them, ju siguroj: ditën e parë që ata nuk janë më në karrige, do të përfundojnë prapa grilave.

Prandaj ata e dijnë se vetëm me pushtet, me çdo çmim e me çdo kusht, mund ti ikin vendit të vetëm që ju ka mbetur.

Prandaj nuk e lëshojnë karrigen. Prandaj qëndrojnë aty pa legjitimitet, me lojëra politike e me shpikje procedurash jodemokratike.

I kanë bërë të gjitha. Nga bllokimi i shtetit, tek bllokimi i komunave, nga shkeljet e panumërta, tek refuzimi i konsensusit.

Ju ofruam dhe unitet, e refuzuan. U tallën me Qeverinë e Unitetit, për ta kërkuar në fund për krizën që e kishin shkaktuar vet, e mirëmbanin vet, e ushqenin vet.
Ju ofruam edhe kapërcim të krizës, të ngërcit financiar e buxhetor, për të cilin shpenzonin ditë pa fije konsiderate me mandatar pa numra, me mandatar pa legjitimitet.

Na votoni Qeverinë thuajse shumica falet e nuk fitohet. Na votoni ministrat, kryeministrat, cilin do, vetëm na leni të qëndrojmë mbi pushtet!

Por që ta dimë qartë, bllokada nuk ka qenë aksident. Nuk ka qenë keqkuptim. Nuk ka qenë krizë e imponuar nga të tjerët. Bllokada ka qenë qëllim në vetvete që nga fillimi. Që nga çasti kur ata e panë se nuk mund të qeverisin më me shumicë të qartë, vendosën të qeverisin pa shumicë fare. Që nga dita kur u pa se numrat nuk u dalin, vendosën t’i zëvendësojnë numrat me presion, arrogancë dhe shkelje kushtetuese.

Dhjetë muaj me radhë, çdo hap është bërë për ta zgjatur krizën – jo për ta zgjidhur atë. Buxhetet u vonuan me vetëdije. Procedurat u shpërfillën me vetëdije. Komunat u lanë në pasiguri dhe bllokadë me vetëdije. Qytetarët u lanë në mjegull me vetëdije. Sepse për ta, bllokada është oksigjeni politik. Kriza është mjeti i vetëm për mbijetesë. Pa konflikt, pa armiq të imagjinuar, pa tension të përhershëm, ky pushtet nuk di të ekzistojë.

Ata nuk deshën zgjidhje; deshën kohë. Nuk deshën stabilitet; deshën spektakël. Nuk deshën institucion; deshën skenë politike për monologun e tyre.
Dhe në këtë drejtim, kanë goditur vazhdimisht LDK-në. Sepse e dinë shumë mirë se rreziku për popullizmin nuk vjen nga mediokriteti politik i partive të tjera, por nga idealizmi rugovist i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ata e dinë se projekti i tyre për ta rrënuar LDK-në – kur e patën për një moment në 12% – nuk do t’u realizohet më kurrë. Ata nuk e kanë kuptuar se LDK-në nuk e mashtrojnë as me pushtet, as me privilegj, as me ofertë; dhe jo, më kurrë, LDK-në nuk mund ta ndajnë nga jashtë.

Sot, secili e di se LDK fjalën e dhënë para anëtarësisë e mban. Kur themi “jo me ta”, mbetet “jo me ta”, dhe s’ka ofertë, s’ka pozitë, s’ka privilegj që e ndryshon besatimin me popullin tonë.

Prandaj, sepse e dinë që është kështu, duan ta rrënojnë këtë LDK. Sepse rritja jonë i frikëson.

Kjo tendencë rrënimi duket pak dhe komike. Jo sepse nuk na influencojnë, por si të marrësh seriozisht dikë që ditën të ofendon e në mbrëmje të kërkon për shpëtim?

Pavarësisht të gjithave, LDK nuk çanë kokën për ta.
Le të bëjnë çfarë të donë, por le të bëjnë në opozitë!
Ky është qëllimi ynë.

Ne nuk jemi këtu as për t’u hakmarrë, as për t’u ushqyer me konflikt, as për të rënë në nivelin e sharjeve dhe shpifjeve të tyre. Ne jemi këtu për ta thënë të vërtetën dhe për ta mbrojtur shtetin. Për të treguar se nuk pranojmë një demokraci të rreme, ku shumica improvizohet nëpër zyra të uzurpuara e jo në Kuvend ku populli flet.

Dhe jemi këtu për të thënë se refuzimi i bashkëpunimit me popullistë të tillë ka qenë akti ynë më i lartë kombëtar.

Tani na pret një akt tjetër kombëtar: të çlirojmë zyrat e uzurpuara të shtetit nga një sekt që mashtron, propagandon, vjedh dhe nuk punon.

Dhjetë muajt e bllokadës nuk na kanë lodhur; na kanë bindur. Na kanë bindur se ky vend nuk mund të lihet më në duart e atyre që e shohin shtetin si skenë personale. Na kanë bindur se LDK nuk ka të drejtë të rrijë spektatore.

Na kanë bindur se heshtja nuk është opsion, neutraliteti nuk është zgjedhje, pritja nuk është strategji.

Pikërisht për këtë jemi mbledhur sot. Që pas dhjetë muajve bllokadë, uzurpim dhe propagandë, të japim përgjigjen tonë të qartë: Kosova nuk mund të mbahet peng i një njeriu dhe i një grupi që nuk e njeh as shumicën, as demokracinë, as ligjin.

Kosova ka nevojë për një udhëheqje që respekton Kushtetutën, njeh vendimet e gjykatave dhe mban përgjegjësi para qytetarëve. Ka nevojë për një qeverisje që nuk ushqehet me sharje, por matet me rezultate.
Këtë përgjigje sot e jep Lidhja Demokratike e Kosovës. Në këtë sallë, me këtë Këshill të Përgjithshëm. Ne nuk flasim vetëm për veten tonë. Flasim në emër të atyre që janë lodhur nga bllokada, nga improvizimi dhe nga uzurpimi. Dhe marrim përsipër t’u japim atyre një rrugë të re.

-4-

Në këtë moment kritik, dua të drejtohem edhe njerëzve të Kosovës. Dua t’u drejtohem atyre që e mbajnë këtë vend gjallë.

Dua t’u flas të rinjve të Kosovës. Ju, të cilëve ua kanë vjedhur ëndrrat me premtime e mashtrime dhe me dyer të mbyllura. Ju që kërkoni një arsye për të qëndruar, një arsye për të ndërtuar jetën tuaj këtu, në vendlindjen tuaj. Sot, unë dua t’ju them se Kosova ka nevojë për ju. Jo si numër e statistika votimesh, por si energji që ndërton. Si forcë që çon përpara. Si gjenerata që nuk i përkul supet para propagandës dhe mashtrimit. Ju jeni arsyeja pse ne duhet ta kthejmë vendin në normalitet.

Dua t’u drejtohem mësuesve tanë. Ju që mbani mbi supe të ardhmen e këtij vendi, që edukoni brezat, që jepni dijen e moralin që ky shtet s’mund ta blejë me asnjë buxhet. Ju jeni të braktisur nga një pushtet që nuk ua njeh mundin, nuk ua respekton sakrificën dhe nuk ua shpërblen punën. LDK ka qenë gjithmonë shtëpia juaj politike dhe morale, dhe sot ju fton të bashkoheni në një përpjekje të madhe për ta kthyer arsimin në prioritet kombëtar.

Dua t’u flas mjekëve e infermierëve, stafit shëndetësor, që këto vite i keni përballuar sfidat pa pajisje, pa mbështetje, pa kushte minimale, por me dinjitet dhe ndershmëri. Ju, të cilët shpëtoni jetë çdo ditë në një sistem të rrënuar, meritoni respekt, jo braktisje. Meritoni kushte, jo fjalime. Meritoni investim, jo justifikime. Sot, Kosova ka nevojë për ju dhe për zërin tuaj në këtë bashkim kombëtar.

Dua t’u drejtohem familjeve të Kosovës. Çiftet e reja që mezi ia dalin të paguajnë qiratë. Prindërit që luftojnë çdo ditë për një jetë më të mirë për fëmijët e tyre. Nënave e baballarëve që shqetësohen për shkollën, për shëndetin, për vendin e punës, për të ardhmen e fëmijëve. Sot, unë dua t’ju them se jeni zemra e Republikës. Dhe e gjithë kjo përpjekje politike bëhet pikërisht për të siguruar që të keni një vend ku ia vlen të rritet një fëmijë.

Dua t’u drejtohem bizneseve të vogla e të mëdha, sipërmarrësve, punëdhënësve e punëmarrësve. Ju që keni mbajtur ekonominë gjallë pavarësisht presioneve, inspektorateve të politizuara, tatimeve represive, klimës së frikës e pasigurisë. Ju meritoni liri, jo kërcënim. Siguri, jo arbitraritet. Politikë ekonomike, jo kaos dhe presion. Ne kemi një program të qartë për të çliruar ekonominë tuaj dhe për ta bërë Kosovën vend të investimeve dhe prodhimit.

Dua t’u drejtohem punëtorëve të sektorit publik – administratës, mësuesve, policëve, ushtarëve, zjarrfikësve, punëtorëve komunalë, secilit shërbyes publik. Ju që bartni barrën e shtetit çdo ditë. Ju që shpesh punoni pa mjete, pa kushte, pa vlerësimin e merituar. Sot, LDK ju thërret të bashkoheni, sepse vetëm një shtet funksional mund t’ju mbështesë ju dhe punën tuaj të ndershme.

Dua t’u drejtohem pensionistëve tanë, njerëzve të sakrificës dhe mundit. Ju që keni ngritur këtë vend me duart tuaja, dhe sot jetoni me pensione të padenja për sakrificën tuaj. Ju meritoni qetësi, jo pasiguri. Mirënjohje, jo tallje politike. Dinjitet, jo përbuzje. Ne do ta bëjmë politikë kombëtare nderimin e brezit që e ndërtoi këtë shtet.

Dhe dua t’i drejtohem të gjithë atyre që ndihen të lodhur: të zhgënjyer nga popullizmi, të zhgënjyer nga gënjeshtrat, të zhgënjyer nga improvizimet. Ka ardhur koha që të bashkohemi — jo rreth një partie, por rreth një ideje: ideja se Kosova meriton më shumë.
Ky është bashkimi që kemi nevojë sot.

-5-

Dhe në këtë thirrje për bashkim, dua t’i drejtohem në mënyrë të veçantë mërgatës sonë. Atyre që jetojnë e punojnë larg Kosovës, por që Kosovën e mbajnë më afër se kushdo tjetër. Atyre që me mundin, me djersën, me sakrificën e tyre, e kanë mbajtur gjallë ekonominë e vendit tonë për tri dekada me radhë.

Mërgata jonë është pasqyra më e pastër e Kosovës. Është zemra jonë jashtë kufijve, por e lidhur fort me vendlindjen. Është forca që nuk u lodh kurrë, as kur Kosova ishte më e rrënuar, as kur shpresa ishte më e zbehtë.

Ne e dimë: në zgjedhjet lokale, mërgata e bëri LDK-në partinë e parë. Ajo e mbajti fjalën. Dhe e mbajti me dinjitet.

Sot, dua t’u flas me një thirrje të hapur: me 28 dhjetor, ejani masivisht. Ejani në numër të madh, si gjithmonë për fundvit, por këtë herë ejani me një qëllim më të madh se festa. Ejani për ta vendosur drejtimin e Kosovës. Ejani për t’i dhënë fund bllokadës dhe uzurpimit. Ejani për ta rikthyer normalitetin në institucionet tona.

E di se shumë prej jush planifikojnë të vijnë për pushime, për familje, për festat e fundvitit. Këtë herë, ju ftoj të vini edhe për vendin. Sepse vota juaj nuk është thjesht votë. Është amanet. Është përgjegjësi. Është pjesëmarrje e sinqertë në fatin e vendit tuaj.
Prandaj, sot, dua t’ju them qartë: Kosova ka nevojë për ju. Ka nevojë për pjesëmarrjen tuaj, për vullnetin tuaj, për zërin tuaj. Ju e keni ndryshuar rezultatin në zgjedhjet lokale. Ju mund ta ndryshoni edhe më fuqishëm më 28 dhjetor.

-6-

Të dashur qytetatrë të Republikës,

Dua ta kuptoni se anagzhimi ynë politik sot i ka tri shtylla kryesore. Ato nuk janë për ne, janë për bërjen si duhet të shtetit tuaj e shtetit tonë.

Në shtyllën e parë, LDK fokusohet për stabilitet institucional. Ne duhet ta kthejmë stabilitetin institucional në themel të shtetit tonë. Nuk mund të ecim përpara me kriza të përhershme, me shkelje të Kushtetutës, me vendime të Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës Supreme të shpërfillura, me uzurpim të institucioneve nga njerëz që s’kanë shumicë, s’kanë mandat dhe s’kanë besim.

Kosova dhe shqiptarët kanë ëndërruar gjithmonë të kenë shtet të tyre. Kanë ëndërruar Kushtetutë. Kanë ëndërruar rend e funksionim. Kanë ëndërruar normalitet. Le ta nderojmë e respektojmë e bëjmë shtetin tonë.

Nuk kemi sakrifikuar një shekull të tërë për t’u zgjuar sot në një realitet pa shtet me dinjitet dhe pa kushtetueshmëri. Ne nuk kemi qëndruar në vitet më të vështira për ta lejuar sot një pakicë të sjellë erën e një Republike të improvizuar. Kosova nuk është pronë e askujt. Kosova është shtëpia e të gjithëve. Dhe shteti duhet të funksionojë për të gjithë.

Prandaj, detyra jonë e parë është rikthimi i rendit institucional. Të kemi institucione që punojnë, ministri që nuk vjedhin dhe që s’e shkelin ligjin, një qeveri me legjitimitet, një Kuvend që vendos, një vend që funksionon. Është koha ta rikthejmë normalitetin demokratik – Republika të jetë demokraci, ligji të jetë udhëzim, Kushtetuta të jetë inspirim.

Në shtyllën e dytë, LDK fokusohet në kthimin në Rrugën Euroatlantike. Kosova duhet ta gjejë sërish rrugën e saj natyrore: rrugën euroatlantike.
Sot, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara është dëmtuar. Besimi i Bashkimit Evropian është lëkundur. Jemi nën masa. Jemi të izoluar. Jemi jashtë tryezave ku merret vendimi për rajonin tonë. Dhe në vend që të ecim drejt Evropës, jemi kthyer pas.

Shikoni Shqipërinë, po ecë. Sepse nuk bën politikë të mediokritetit. Hapi negociatat përfundimtare. Po guxon. Po punon. Po avancohet drejt BE-së me hapa të shpejtë. Shikoni fqinjët tanë, shikoni Malin e Zi. Të gjithë po lëvizin. Vetëm ne kemi ngecur – sepse një sekt populist mendoi se mund të ndërtojë shtet pa miq, pa partnerë, pa Perëndim.

Dhe sot, kur kufiri i Evropës po na afrohet në Morinë, rrezikojmë të zgjohemi një mëngjes dhe të kuptojmë se si lejuam një sekt të papërgjegjshëm të mbajë peng një popull të lirë që e gjeti lirinë edhe kur ishte vet.
Stagnimi euroatlantik i Kosovës nuk është vetëm një gabim politik. Është rreziku më i madh kombëtar. Prandaj, për ne, kthimi te partneriteti me SHBA-në, kthimi te besimi i BE-së, kthimi te rruga e integrimit nuk është opsion. Është detyrim. Është mision. Është orientimi i popullit tonë, i gjeneratave tona, i të ardhmes sonë.

Ne duhet të kthehemi aty ku e kemi vendin. Në botën demokratike. Në aleancat që na dhanë dorën drejt çlirimit, që na mbrojtën, që na njohën, që na ngritën në shtet. Kthimi te Evropa dhe Amerika është shtylla jonë e dytë – dhe është e panegociueshme.

Në shtyllën e tretë, LDK fokusohet në zhvillim ekonomik e në rritje të standardit të jetesës të popullit tonë. Kosova ka pesë vjet që nuk flet për zhvillim.
Shqipja politike e këtij pushteti është vetëm akuza. Fajësim. Konflikt. Lojëra me armiq të imagjinuar. Me mullinj të erës, të Don Kishotit me një grumbull Sanço Panços pas.

Pesë vjet pa projekte. Pesë vjet pa rritje të pagave. Pesë vjet pa investime serioze. Pesë vjet pa përmirësim në arsim, në shëndetësi, në bujqësi. Pesë vjet ku e vetmja gjë që është rritur janë çmimet, migrimi dhe zhgënjimi i qytetarëve.

Jeta e familjeve është bërë më e vështirë. Standardi ka rënë. Shporta familjare është bërë e papërballueshme. Rinia kërkon të ikë jo nga dëshira, por nga domosdoshmëria. Bizneset punojnë në pasiguri. Fshati është lënë në harresë e qyteti pa tempo zhvillimi. Punëtorët jetojnë me paga të ulëta e pa siguri. Dhe shteti s’ka asnjë plan, asnjë strategji, asnjë vizion.
Pushteti u thotë se gjithçka është mirë.

Koha ka ardhur ta zhvillojmë vendin – me seriozitet, me investime, me plan, me projekte të mëdha. Kosova me 1.5 milionë banorë mund të jetë një ekonomi dinamike, moderne, e aftë të hapë vende pune, të prodhojë, të eksportojë, të rrisë mirëqenien e qytetarëve. Mund të ketë paga më të larta, standard më të lartë jetese, shëndetësi funksionale, arsim cilësor, infrastrukturë moderne; jo më më të fundint në Evropë për secilën gjë.

Në Rrugën e Re, ne kemi planin e investimeve prej 5 miliardë eurosh. Rritjen e pagave. Modernizimin e shëndetësisë. Reformën e thellë të arsimit. Mbështetjen për bizneset. Zhvillimin e sportit dhe kulturës. Investimin në komunat e vendit. Ne kemi vizionin, planin dhe mundësinë për ta kthyer Kosovën në një vend që rritet – jo vetëm politikisht, por ekonomikisht dhe në mirëqenie.

Sepse për ne, zhvillimi nuk është luks e varfëria nuk është krenari. Zhvillimi është e vetmja rrugë. E vetmja përgjigje ndaj varfërisë, shpërnguljes, ngecjes dhe shpresës së humbur.

Kosova meriton të ecë. Kosova meriton të zhvillohet. Kosova meriton të jetë vend ku njerëzit jetojnë mirë, jo vetëm mbijetojnë.

-7-

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,
Pas gjithë asaj që kemi parë, përjetuar dhe analizuar së bashku – pas dhjetë muajve bllokadë, pas uzurpimit institucional, pas krizës së zgjatur dhe pas dëmtimit të orientimit euroatlantik të vendit tonë – ne sot gjendemi në një moment që kërkon maturi të madhe politike dhe përgjegjësi të lartë kombëtare. Ky takim nuk është vazhdim i një mbledhjeje të zakonshme. Është pikë kthese. Është moment reflektimi, por edhe moment vendimi.

Të gjitha ato shtylla që sapo i artikuluam – stabiliteti institucional, kthimi në rrugën euroatlantike dhe zhvillimi i vendit – nuk qëndrojnë dot vetëm në letër. Ato kanë nevojë për udhëheqje. Kanë nevojë për përgjegjësi politike. Kanë nevojë për unitet të brendshëm dhe besim të ndërsjellë. Kanë nevojë për një ekip që ecën si një trup, si një mendje, si një qëllim.

Pikërisht për këtë jemi sot këtu. Për ta kthyer drejtimin e vendit në duart e përgjegjësisë. Për ta rikthyer vendimmarrjen te institucionet dhe jo te improvizimet. Për ta rikthyer besimin te shteti, te aleatët tanë, te qytetarët tanë.

Për ta bërë Lidhjen Demokratike të Kosovës jo vetëm alternativë politike, por udhëheqjen e vetme të mundshme për normalizimin, stabilizimin dhe zhvillimin e vendit.

Dhe është në këtë frymë, në këtë nevojë dhe në këtë moment historik, që unë kam nevojë për secilin prej jush. Për çdo anëtar të Këshillit të Përgjithshëm. Për çdo aktivist të LDK-së. Për çdo njeri që beson në demokraci dhe të ardhme evropiane; pa pyetur ku jam unë sot, po ku duhet të jetë LDK nesër; dhe me të vet shteti ynë i ri.

Kam nevojë edhe për secilin jashtë kësaj salle – për mësuesit, për mjekët, për familjet, për bizneset, për pensionistët, për rininë dhe për mërgatën tonë. Jemi në një betejë që kërkon bashkim të madh, të brendshëm e të jashtëm. Një betejë për Kosovën.
Në këtë kontekst, dua të them disa fjalë të cilat nuk janë formalitet, por bindje e imja më e thellë.

Unë jam i vetëdijshëm se po marr përsipër përgjegjësinë e një udhëheqjeje që kërkon maturi, durim, guxim dhe vendosmëri, në një betejë kruciale për vendin.

Por dua ta them qartë: nuk ka barrë që më rëndon, nuk ka sfidë që më tremb, nëse këtë betejë e udhëheqim së bashku. Sepse vetëm së bashku ne mund ta kthejmë Kosovën në normalitet demokratik, në partneritet euroatlantik dhe në zhvillim të mirëfilltë.

Ky nuk është mision personal. Ky është mision politik. Ky është mision kombëtar. Dhe është misioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës – i partisë që ka ndërtuar shtetin, që ka ruajtur orientimin perëndimor dhe që sot mban shpresën e rigjenerimit të vendit tonë.

Këshilli i Përgjithshëm sot, në rend dite, ka aprovimin e vendimit të Kryesisë Qendrore të LDK-së për nominimin tim si kandidat të shtëpisë më të vjetër të demokracisë për Kryeministër të Republikës së Kosovës.

Ky aprovim, para se të jetë privilegj, është përgjegjësi e madhe që më bie mbi supe. Dhe për të cilën jam gati. Jam i gatshëm t’ju prij. Jam i gatshëm të ecim bashkë. Jam i gatshëm ta mbaj peshën e kësaj detyre – në emër të vendit tim.

Shpresoj që Zoti më jep forcë, dije e maturi, të ju prijë në këtë garë me dinjitet.

Ejani të gjithë së bashku ta bëjmë këtë betejë. Ejani me unitetin tonë të brendshëm. Ejani me besimin tonë të përbashkët. Ejani me idealin tonë rugovian, të maturisë dhe të shtetformimit. Ejani me bindjen se Kosova mund të ngrihet, mund të zhvillohet dhe mund të ecë drejt Perëndimit me dinjitet.

Kosova është në një moment kritik, por jo të pashpresë. Kosova është në një udhëkryq, por jo pa rrugëdalje. Kosova është në krizë, por jo pa forcë për t’u ngritur. Dhe ajo forcë jemi ne Lidhja Demokratike. Me maturi. Me mençuri. Me qetësi. Me vendosmëri.

Le ta marrim këtë përgjegjësi me kokën lart dhe me zemër të qetë. Le ta nisim sonte këtë rrugëtim. Le ta dëshmojmë edhe një herë se kur LDK-ja merr përgjegjësi, Kosova ka shpresë.

Zoti e bekoftë Kosovën,​
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ju faleminderit.