Abazoviq pranon ftesën e Zelenskyt, ka një ide se kush duhet t’i bashkëngjitet në vizitë

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka pranuar ftesën për vizitë në Kiev nga presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky. Ai ka nisur idenë se edhe liderët e shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkëngjiten në këtë vizitë.

Gjithsesi, në idenë e Abazoviqit theksi vihet tek kryeministrat e vendeve anëtare të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë qeveria e Malit të Zi me anë të një komunikate.

“Kryeministri Dritan Abazoviq, pranoi ftesën e bërë nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, për të vizituar kryeqytetin e Ukrainës.”

“Dritan Abazoviq do të nisë një ide për një vizitë të përbashkët në Kiev nga kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht nga vendet e NATO-s të rajonit, me qëllim dërgimin e një mesazhi më të fortë dhe të bashkuar të mbështetjes së Ballkanit Perëndimor për sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës”, thuhet tutje.