Abazi: Të themelohet Asociacioni si OJQ, status quo-ja i konvenon Serbisë

Deputeti i LVV-së, Haki Abazi, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një kurth për Kosovën dhe se sipas tij ai duhet të themelohet si një OJQ.

Abazi ka thënë se në Kosovë ka me mijëra organizata të tilla si Asociacioni dhe formimi i saj si OJQ duhet të bëhet.

“Duhet me dekonstruktu këtë punë se është bërë kurth i madh kjo puna e Asociacionit. Është bërë kurth nga e kaluara, por edhe nga tendenca e projeksionit të frikës mbi atë se çfarë mund të ndodhë me këtë Asociacion”.

Deputeti i LVV-së ka thënë se është në interes të Serbisë që të vazhdojë status-quoja.

“Ne duhet patjetër të dalim nga ky kurth sepse është interes i Serbisë që ta mbajë këtë status-quo. Kemi me mijëra organizata jo qeveritare që kanë mision e vizion, nuk do të thotë asgjë që të krijohet një organizata e llojit të tillë e cila mund ta përkufizojë të drejtën e komunave për ta përfaqësuar vetën në forma të ndryshme”, tha ai.

Abazi ka thënë se marrëveshja përfundimtare duhet të ndodh gjatë vitit 2023.

“Mendoj që ka presion të formave të ndryshme për t’ia vendosur edhe një afat kësaj punë… Nuk e besoj që duhet të fokusohemi shumë në afatin e marsit se sa në përfundim brenda këtij viti të kësaj marrëveshje Kosovë-Serbi”, ka deklaruar tutje Abazi.