Zëvendëskryeministri

Abazi: Partneriteti i Kosovës me NATO-n, BE-në dhe SHBA-të kurrë s’do vihet në pikëpyetje nga qeveria Kurti

Zv/kryeministri i vendit, Haki Abazi tha se partneriteti i Kosovës me NATO-n, BE dhe SHBA, si dhe rreshtimi kombëtar i padiskutueshëm me perëndimin, kurrë nuk do të vihet në pikëpyetje nga qeveria Kurti.

Madje ai tha se kjo qeveri do të avancoj drejt realizimit të plotë te aspiratave integruese.

“Ne jemi të vendosur që Kosova të respektoj çdo detyrim e marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit dhe përkushtimit të partneritetit.Por, çka po vihet në pikëpyetje seriozisht është lojaliteti i presidentit të vendit ndaj interesave kombëtare e shtetërore dhe ndaj kushtetutës mbi të cilën bazohet edhe vetë autoriteti i pozitës së tij”, tha Abazi,

Sipas tij, problemi nuk është i politikës së jashtme, por i politikës së brendshme.

“Bazuar në mendësinë e vjetër( para 6 tetorit 2019)-Refuzimi për koordinim dhe respektim të vullnetit qytetar.Kur një qytetar i Kosovës shkel ligjin, ndaj tij merren masa. Çka ndodh kur presidenti shkel themelin e ligjeve, pra kushtetutën, dhe jo vetëm njëherë? Shteti, interesi qytetar dhe funksionaliteti bazuar në kushtetutë nuk mund të mbahet peng nga një njeri”, shtoi ai./