AAK nuk i fut në listë për deputetë kryetarët e komunave, synojnë 150 mijë vota

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se kjo parti në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare synon ti merr nga 130 mijë deri në 150 mijë vota.

“Për neve është mëse e arritshme ky numër, pra deri në 150 mijë vota e që në përkthim të numrit të deputetëve i mbi 20 deputetë”, ka thënë Haradinaj, shkruan Ballkani.info.

Sipas tij, kjo parti i ka bërë të gjitha kalkulimet për këtë numër të votive.

“E kemi bërë një kalkulim të saktë dhe e kemi një konsultim me kryetarët e degëve dhe kryetarët e komunave dhe e dijmë ku i marrim ato vota. Mos të harrojmë që udhëheqim më shtatë komuna dhe 13 tjera jemi në bashkëqeverisje”, ka thënë ai në RTK.

Ai ka thënë se në këto zgjedhje s’do të ketë fitues absolute dhe secila parti do të ketë nevojë për parti tjera pas zgjedhjeve.

Në anën tjetër, nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë se asnjë nga kryetarët e komunave nga kjo parti nuk do të jetë pjesë e listëve së kandidatëve për deputetë. /Ballkani.info/