Dinari serb

AAK-ja kërkon që dinari të bëhet “mollë sherri” drejtë BE-së, VV-ja përmend lehtësirat për qytetarët serb

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thekson se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po krijon tema që janë në dëm të qytetarëve, siç është çështja e dinarit, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se në Bruksel guvernatori ka sqaruar për lehtësirat për qytetarët në atë pjesë të veriut.

Nga VV-ja kanë përmendur lehtësirat që po u mundëson Banka Qendrore sa i përket këmbimit valutor, ndërkaq nga AAK-ja kërkojnë më shumë kujdes, në mënyrë që kjo temë të mos bëhet “mollë sherri” në rrugëtimin drejt integrimit Evropian.

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, thotë për Ekonomia Online se çështja e dinarit nuk është dashur të diskutohet fare në Bruksel, pasi Kosova që nga viti 2002 operon me valutën euro. Ai thotë se Qeveria po krijon tema që e pengojnë përparimin e Kosovës.

“Çështja e dinarit është vendim i brendshëm i Kosovës. Valuta euro është valutë tash e 22 vite dhe nuk duhet të diskutohet as në Bruksel e askund tjetër. Problemi qëndron se kjo qeveri do të thotë i nxjerr disa tema pa kurrfarë nevoja që pastaj kthehen në tema që e pengojnë ecjen e Kosovës përpara dhe në veçanti e pengojnë Kosovën në rrugëtimin e vet në formësimin dhe forcimin e subjektivitetit vetndërkombëtar. Kjo ka ndodh pra nuk duhet diskutohet dinari askund mirëpo duhet të trajtohet me partnerët tanë Kosovë për me u gjet një zgjidhje. Valuta është e vetme dinari mirëpo është tepër më rendësi që kjo të mos na bëhet mollë sherri në rrugëtimin tonë drejt integrimit tonë Evropian”, u shpreh Tahiri.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, thotë për Ekonomia Online se Banka Qendrore ka ofruar shumë lehtësira për qytetarët në atë pjesë sa i përket shërbimeve bankare.

“Unë mendoj që është qartësuar me vizitën që zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës që e kanë bërë në Bruksel. Guvernatori i Bankës Qendrore e dha njoftimin lidhje me të gjitha sqarimet që ka pasur nevojë të diskutohen me të gjitha palët e interesuara në Bruksel në lidhje me lehtësirat që Banka Qendrore e Kosovës ka ofruar për të gjithë qytetarët në pjesën veriore të Kosovës me qëllim që ata të mos kenë as një vështirësi sa i takon qasjes në shërbimet bankare”, thotë Hyseni.

“Unë konsideroj që BQK e ka vullnetin dhe gatishmërinë e plotë që çdo sqarim i mëtutjeshëm i nevojshëm të bëhet për qytetarët në pjesën veriore të Kosovës me qëllim që ata të ndihen qytetarë maksimalisht të privilegjuar sa i takon qasjes në të gjitha shërbimet bankare, përfshirë edhe llogarit me kushte minimale apo pa pas nevojë të paguhet për to por edhe me lehtësira të tjera të cilat janë të proceduara saktësisht nga masat që Banka Qendrore e Kosovës ka marrë me qëllim që të lehtësoj të gjitha transaksionet e mundshme bankare për qytetarët në pjesën veriore të vendit”, u shpreh ai. /EO

VIDEO BONUS: Marrëveshjet ndërkombëtare, Kusari-Lila: Jemi në koordinim me opozitën për votim