AAK-ja ia merr Nismës edhe një ministër. Shyqiri Bytyqi pritet të aderojë në partinë e Haradinajt

Ish-ministri i Arsimiit, Shyqiri Bytyqi, ka dhënë dorëheqje nga Nisma Socialdemokrate. Këtë e ka bërë të ditur vetë Bytyqi përmes një statusi në Facebook ku e nis duke lëvduar kryeministrin Haradinaj, e e përfundon arsyet pse e shtynë atë të largohet nga Nisma.

Bytyqi ka shkruar për ‘shtetin e xhepave partiakë’, e thotë se në rrethana të tilla, ai dorëhëhiqet nga partia e Fatmir Limajt.

“Shteti i xhepave partiakë bëhet e keqja e përgjithshme dhe e mban në këmbë autokracinë partiake! Të tilla shkarje mjerisht sot janë ethet e frikshme të mentalitetit (mykur në praktikat e lindjes), ku edhe ne kemi hisen tonë në prodhimin jo vetëm të mendësisë, por edhe e të së keqes!”, ka shkruar Bytyqi që ishte ministër i arsimit në Qeverinë e Ramush Haradinajt.

“Në të tillë rrethanë unë dorëhiqem nga të qenit pjesë e NISMËS SOCIALDEMOKRATE edhe pse thellë në mua jetojnë parimet e socialdemokracisë dhe aspirata për ndërtimin e shoqërisë mbi themele ku shpërndarja e barabartë e mundësive dhe të mirave dhe bëhen edhe garanca e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë së po vet shoqërisë”, ka shkruar tutje ai.

E burime të Ballkani.info thonë se Bytyqi së shpejti do të aderojë pikërisht në partinë e Haradinajt, në AAK.

Këto burime thonë se e gjithë familja e Bytyqit tashmë është pjesë e AAK-së dhe se ai shumë shpejt do ta bëjë të ditur zyrtarisht këtë.

Para Bytyqit, AAK-ja Nismës ia kishte marrë edhe një ish ministër. Bëhet fjalë për Bajram Hasanin, ish ministër i Tregrtisë dhe Industrisë.

Hasani njihet si njëri me ndikim në Gjilan dhe Anamoravë. /Ballkani.info/

loading…