AAK i përgjigjet QUINT-it: Taksa nuk hiqet pa e njohur Serbia, Kosovën

Shtetet e QUINT-it dje kanë adresuar edhe njëherë kërkesat e tyre drejtuar Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës.

Sipas tyre, vendimi për taksën duhet të shfuqizohet në mënyrë që të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, këto shtete kanë pasur një kërkesë edhe në drejtim të Serbisë, ku kanë kërkuar ndaljen e fushatës së lobimit për tërheqje të njohjeve ndaj shtetësisë së Kosovës.

Ballkani.info ka kontaktuar me deputetin nga radhët e AAK-së, Shkumbin Demaliaj, për të kuptuar nëse kjo parti ka ndryshuar qëndrim ndaj vendimit për taksën.

I pyetur nëse AAK-ja do ta largonte taksën ndaj Serbisë në rast se vie në pushtet përsëri, deputeti ka thënë se kjo nuk do të ndodhë dhe se qëndrimi i AAK-së për taksën tashmë dihet.

“Qëndrimi jonë për vendimin e taksës tashmë dihet. Kërkesa për heqjen e taksës ka pasur edhe më herët nga shtetet e QUINT-it, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga ana jonë. Kushti për heqjen e taksës është njohja e shtetësisë sonë nga ana e Serbisë, përndryshe taksa do të vazhdojë të jetë në fuqi”, ka deklaruar Demaliaj për Ballkani.info.

Kujtojmë se AAK-ja ka potencuar edhe më herët se cilado parti që vie në pushtet, nuk duhet ta largojë taksën deri në njohje. /Ballkani.info

loading…