AAK: Do ta krijojmë një byro të hetimeve të ngjashme si FBI

Ish-ministri i Drejtësisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Selim Selimi, i cili është edhe kandidat për deputet, ka thënë se partia e tij ka një plan konkret për luftimin e korrupsionit në vend.

Ai, në DebatPernime ka shpalosur edhe idetë që do t’i implimentonte në rast në qeveri do të jetë AAK.

Selimi tha se partia e tij ishte kundër shuarjes së Task Forcës antikorrupsion, por sipas tij do të krijohet një byro e hetimeve, e ngjashme sikur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne  kemi në plan luftimin e korrupsionit, i kemi marr edhe disa hapa konkret. E kemi bërë rregulloren për sinjalizuesit, për t’i mbrojtë ata. E kemi ndërruar ligjin për avukaturën shtetrore, ku i kemi detyruar avokatët e shtetit, që t’i lajmërojnë veprat korruptive, pasi shumica e korrupsionit bëhet nëpër tenderë”, ka thënë Selimi në DebatPernime.

“Ne mendojmë që në momentin që ngritet aktakuza për korrupsion, ne mendojmë që duhet me shku në shtëpi”, tha ish-ministri i Drejtësisë.

Selimi nga AAK ka përsëritur që, partia e Ramush Haradinajt ishte kundër shuarjës së Task Forcës kundër korrupsionit, e cila u shua nga qeveria aktuale që drejtohet nga Avdullah Hoti.

“Ne kemi qenë edhe kundër shuarjes së task forcës kundërkorrupsinit. Ne do ta kemi një task forcë e cila do të shndërrohet potencialisht në byro të hetimeve, e ngjashme me FBI-në, këtë vit kemi dal në rajon për korrupsion”, deklaroi ai.