Dyfish më shumë shkuan e dyfish më shumë erdhën. Kështu u rrit numri i personave që më 12 tetor e shfrytëzuan heqjen e kushtit të testimit për Covid-19 nga ana e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Bëhet fjalë për afro 10 mijë persona më shumë se një ditë më herët.

Ndërkohë derisa Maqedonia Veriore i ka hapur kufijtë me vendet fqinje e të njëjtën në raport me të nuk e kanë bërë ende Serbia, Mali i Zi e Bosnje e Hercegovina, kjo për faktin se ky vend ende ka numrin më të lartë të të infektuarve.

Por në rastin e Kosovës infektologu Ilir Tolaj po vlerëson se ky reciprocitet me vendin fqinj jugor nuk paraqet ndonjë kërcënim për shëndetin publik.

Sipas tij, diferenca e shifrave në vendet e rajonit është e vogël dhe se këto mund të përmbysen e ndryshojnë kurdo deri në fund të pandemisë.

Në fakt dhe për Mirsad Shkretën, ish-këshilltar i ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, zbatimi i parimit të reciprocitetit për lëvizje të lirë me Maqedoninë e Veriut për aq sa respektohen masat anti Covid nuk e rrezikon menaxhimin e pandemisë.

E nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë me dije se Kosova do të kushtëzojë çdo shtet që hyn në listën e vendeve me risk të lartë.