A rrezikohet Kosova nga varianti i ri i koronavirusit? Flet Valbon Krasniqi

Infektologu kosovar, Valbon Krasniqi, para disa ditësh shpjegoi një numër të madh çështjesh në një intervistë për Periskopin. Ndër tjerash, ai foli edhe për variantin e ri të koronavirusit, që tashmë ka marrë vëmendje të shtuar mediatike në mbarë botën.

Ky virus i ri dyshohet se mund të përhapet më shpejt dhe se po zëvendëson në mënyrë rapide variantet e vjetra të virusit, siç bënte të ditur në një artikull BBC.

Rrezikun nga varianti i ri e ka vlerësuar edhe Krasniqi në një përgjigje të qartë për Periskopin javën e kaluar:

“Çdo virus që transmetohet përmes rrugëve ajrore mund të përhapet në çdo vend, prandaj edhe variantet e reja eventuale (apo mutacionet siç i quajmë në mjekësi),mund të përhapen pothuajse në çdo vend. Kjo edhe u pa gjatë këtij viti me virusin COVID-19.”, ka thënë ai.

Kjo nënkupton që as vendi ynë nuk është aspak i sigurt nga varianti i ri. Shqetësimi kryesor rrjedh nga Britania e Madhe, ku ndodhet edhe një pjesë shumë e madhe e mërgimtarëve tanë.

Kosova ende nuk e ka ndaluar lirinë e lëvizjes me Britaninë e Madhe – ashtu siç kanë bërë plot vende të tjera.