Rasti ka të bëj me këta ekspertë që nuk kishin dhënë dritën jeshile për akreditimin e programeve studimore të Fakultetit të Bujqësisë, duke dhënë rekomandime se objekti nuk i plotëson kriteret.
Mirëpo këto gjetje s’është që i kanë bërë përshtypje Agjencisë së Akreditimit, duke ia akredituar programet Fakultetit të Bujqësisë me arsyetimin se janë në interes nacional.
Siç merr vesh Zeri.info, përkundër që në rekomandimin e ekspertëve që janë prezantuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë që është mbajtur më 12 gusht, konstatojnë se kushtet në Fakultetin e Bujqësisë janë kritike, ky institucion ia ka vazhduar edhe për 1 vit akreditimin.
Vendimi i KSHC-së është mbajtur i fshehur duke mos njoftuar fare opinionin.
Në uebfaqen e këtij institucioni është publikuar një informatë e shkurtër duke dhënë detaje në vija të trasha për mbledhjen, por pa treguar se kanë marrë një vendim që është në kundërshtim me opinionin e ekspertëve ndërkombëtarë.
“Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), më 12.08.2024, ka mbajtur mbledhjen e 127 në të cilën i ka shqyrtuar dhe ka marrë vendime për raportet e ekspertëve ndërkombëtarë të vlerësimit. KSHC i ka shqyrtuar, po ashtu, kërkesat dhe ankesat e institucioneve të arsimit të lartë”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni që nuk ka njoftuar për vendimet që janë ndërmarr.
Njoftimi vazhdon me detaje të parëndësishme për opinionin, duke përdorur një shabllon të zakonshëm në njoftimin që e bëjnë institucionet shtetërore.
“Njëkohësisht KSHC ka diskutuar lidhur me dinamikën e punëve për organizimin e Konferencës së dytë ndërkombëtare për sigurimin e cilësisë e cila do të mbahet në Prishtinë më 24 shtator 2024”, thotë njoftimi zyrtar.
Janë edhe shumë kolegje private dhe Universitete Publike që nuk janë akredituar, përkundër që i kanë plotësuar kriteret dhe janë dhënë rekomandimet pozitive nga ekspertët ndërkombëtarë. Ky proces është stopuar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë dhe Agjencia e Akreditimit.
KSHC-ja, ka vendosur që akreditimin e Fakultetit të Bujqësisë pas një ankese që e kanë parashtruar këta të fundit, duke rënë ndesh me rekomandimin e ekspertëve ndërkombëtarë që janë angazhuar për të vetmen arsye, rritjen e cilësisë në arsimin universitar.
Ish-zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Xhavit Rexhaj, javën e kaluar në një prononcim për media, ka thënë që KSHC-ja nuk duhet ta bëjë praktikë kundërshtimin e raporteve të ekspertëve, sepse krijohen standarde të dyfishta. /Zëri







