A po tenton Kurti të parandalojë formimin e Qeverisë: Pacolli në karantinë ose në Zvicër

Pavarësisht kërkesave zyrtare që lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli, po i bën për të ardhur në Kosovë dhe për të negociuar me LDK’në formimin e Qeverisë, Ministria e Shëndetësisë nuk po e lejon të vijë nga Zvicra, veç nëse futet në karantinë.

Pacolli më herët përmes disa shkrimeve në Facebook tha se sipas lejeve që i ka nga shteti i Zvicrës, ai nuk ka nevojë të vendoset në karantinë.

Ndaj kësaj ka reaguar Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Arben Vitia i VV’së, të cilët nuk po lejojnë kthimin e tij në vend.

Komunikata e MSH’së:

Nga mediat u njoftuam me ankesat e Kryetarit të AKR dhe njëherësh deputetit të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli. Deri më sot në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për asnjë nga ato çka përmenden në reagimin e z. Pacolli.

Siç kemi konfirmuar ditën e djeshme për rastet e kthimit të shtetasve të Republikës së Kosovës aplikohen masat e njëjta. Pavarësisht pozicioneve që kanë qytetarët tanë përpara çështjeve të shëndetit publik trajtohen jo nga pozita por sipas kritereve të paracaktuara shëndetësore

Po ashtu, nuk jemi të njoftuar me asnjë praktikë nga vendet e përparuara ku dikush për shkak të pozitës nuk i nënshtrohet kritereve të parandalimit të përhapjes së pandemisë”.

Reagime të këtij lloji përçojmë mesazhe të gabuara tek qytetarët tanë të cilët po zbatojnë me korrektësi rekomandimet e institucioneve.