A po rrezikohet jeta e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga kjo pajisje? (FOTO)

Pajisja elektronike (sinjalizuese) në formë tabelare e cila është e vendosur në veturat e Policisë së Kosovës (Shkoda Rapid), në anën e pasagjerit tek xhami i parafangos po del të jetë shumë e rrezikshme policët. Kjo, pasi jo në pak raste, ka rezultuar me lëndime duke qenë e vendosur tek koka e pasagjerit dhe në çdo frenim të papritur është e pamundur të mos goditet me kokë, që në rastin më të keq mund të jetë me pasoja fatale.

Shqetësimin për këtë pajijse e kanë shprehur disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët i kanë thënë Ballkani.info se kjo pajisje është e panevojshme dhe shumë e rrezikshme. Madje, ata në kushte anonimiteti, kanë theksuar se deri tash janë lënduar disa pjesëtarë të policisë.

Në lidhje me këtë Ballkani.info ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelanin, i cili për pajisjen në fjalë ka mohuar të jetë e rrezikshme.

“Automjetet zyrtare të Policisë së Kosovës, posedojnë pajisje të nevojshme sinjalizuese duke përfshirë sirenën, dritën rotative dhe pajisjet tjera shtesë që përdoren në trafik me qëllim të përdorimit kur ka vozitje emergjente apo edhe kur ato nevojiten që të ndalojnë kundërvajtës në komunikacion. Të gjitha këto pajisje që janë të vendosura në automjete policore janë konformë ligjit dhe procedurave të parapara”, ka thënë Kelani.

Ndërsa, i pyetur se a është evidentuar ndonjë rast nga i cili pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë përfunduar me lëndime, Kelani shprehet që nuk kanë pranuar ndonjë informacion të tillë.

“Asnjë informacion në këtë drejtim nuk e kam”, ka përfunduar Kelani.

E në anën tjetër, burime brenda Policisë së Kosovës, mos-evidentimin e lëndimeve të pjesëtarëve nga pajisja në fjalë e kanë arsyetuar me faktin që ka munguar ekzamimimi në momentin e lëndimit, dhe si rezultat i kësaj nuk është bërë i ditur shkaktari.

Ballkani.info ka kontaktuar ekspertin për komunikacion, Skënder Shala, i cili ka potencuar që pajisja në fjalë nuk i plotëson kushtet e sigurisë.

“Lidhur me pajisjen e cila është e vendosur në automjetin zyrtar të policisë në anën e pasagjerit-bashkudhëtarit, ju sqaroj se në aspektin e sigurisë në trafik nuk i plotëson kushtet e sigurisë”, është shprehur Shala.

Tutje shton se rreziku është i pashmangshëm, në raste të ndonjë frenimi apo aksidenti, dhe për këtë duhet të bëhet i ditur përgjegjësi.

“Bashkudhëtari në automjet, me këtë lloj të pajisjes nuk është i sigurt, sidomos kur kemi parasysh natyrën e përdorimit të automjeteve zyrtare, kur ato janë në intervenim dhe përballen me situata të rrezikshme. Nëse bashkudhëtari ka të vendosur rripin e sigurisë ekziston mundësia që të mos përplaset në pajisjen e vendosur mbi kokën e tij, por në situata të intervenimeve, gjatë frenimit të vrullshëm dhe eventualisht gjatë përplasjes së automjetit me ndonjë automjet tjetër apo pengesë tjetër, ekziston rreziku i përplasjes së kokës në këtë pajisje, janë këto situata që duhet të kihen parasysh, rreziku më i madh është nëse automjeti rrokulliset, përplasja e kokës në këtë pajisje është i pashmangshëm edhe nëse e ka të vendosur rripin e sigurisë, dhe atëherë nëse ndodhë një situatë e ngjashme, lind pyetja: E kujt është përgjegjësia?”, ka shtuar ndër të tjera Shala.

Po ashtu, Shala ka folur edhe për ndikimin negative që mund ta ketë kjo pajisje gjatë hyrjeve dhe daljeve të zyrtarëve nga makina, në rastet e intervenimeve.

“Kjo pajisje ndikon edhe gjatë hyrjes dhe daljes së zyrtarëve nga makina, e posaçërisht gjatë intervenimeve të shpejta, kur ato nuk arrijnë të vendosin rripat e sigurisë, në një frenim të vrullshëm koka e bashkudhëtarit do të përplaset në këtë pajisje”, thotë Shala.

Madje, eksperti në fjalë konstaton që kjo pajisje nuk ka vendin e duhur në hapësirën që e kanë vendosur pajisjen.

“Hapësira për vendosjen e drejtuesit dhe udhëtarëve në automjet nuk është paraparë për këso pajisje, kjo hapësirë është konstruktuar në atë mënyrë që sa më shumë të mbrojë drejtuesin dhe udhëtarët në rast të aksidentit apo rreziku që mund të paraqitet, në rastin konkret këto lloj të pajisjeve jo që nuk mbrojnë udhëtarët por e vejnë në rrezik shëndetin dhe jetën e tyre”, potencon Shala.

“Unë rekomandoj që këto pajisje të hiqen nga hapësira drejtuesit dhe udhëtarëve”, përfundon Shala.

Dhe, shtrohet pyetja kush përfiton duke vënë në rrezik jetën e pjesëtarëve të policisë, u mbetet organeve kompetente ta vlerësojnë para se të jetë vonë, pra para se të kemi jetë të humbura dhe pastaj të dalim me rezultate se na qenka diçka e kundërligjshme. /Ballkani.info/