A po përgatitet Serbia për zgjedhje… sërish?

Anulohen takimet e zëvendëskryeministrit të parë. Ky është njoftimi që u publikua në ueb-faqen e Qeverisë së Serbisë më 7 shkurt.

Ai ka të bëjë me udhëheqësin e Socialistëve serbë, Ivica Daçiq, dhe vjen pas disa kritikave të zyrtarëve të Partisë Përparimtare Serbe – subjektit më të madh në koalicionin qeverisës.

Informacioni u pasua me spekulimet e mediave për zgjedhje të parakohshme dhe me disa postime në mediat sociale, përmes të cilave disa ministra kërkuan, po ashtu, zgjedhje.

Çdo skenar i mundshëm për zgjidhjen e këtij destabiliteti politik në Serbi ka pasoja të gjera, të cilat mund të ndikojnë në marrëdhëniet me Kosovën – pavarësinë e së cilës Beogradi zyrtar refuzon ta njohë – por edhe në marrëdhëniet me Rusinë, me të cilën Serbia ka lidhje të ngushta.

Si nisi?

Dy partnerët e koalicionit në Serbi, Partia Përparimtare Serbe (SNS) dhe Partia Socialiste e Serbisë (SPS), hynë papritmas në marrëdhënie të paqëndrueshme.

Fillimisht, zyrtari i lartë i SNS-së, Darko Gllishiq, tha në një konferencë për media më 6 shkurt se SPS-ja “po flirton me opozitën” dhe se “po ulet në dy karrige”.

Ai, po ashtu, tha se SNS-ja është e gatshme t’i bashkohet opozitës.

Po atë ditë, atij iu përgjigj Branko Ruzhiq, deputet i SPS-së dhe ministër për Arsimin në Qeverinë e Serbisë. Duke folur për Radio Televizionin e Vojvodinës, ai tha se nuk sheh asnjë bazë për kritikat se, gjoja, SPS-ja po flirton me opozitën.

“Nuk ka nevojë për rritjen e tensioneve. Vendi është në një moment të vështirë dhe gjëja më e dobishme është që udhëheqësit e SNS-së dhe SPS-së ta diskutojnë këtë temë, sepse mendoj se kjo po e dëmton Serbinë”, tha Ruzhiq.

Megjithatë, ai shtoi se zgjedhjet janë një nga mënyrat për të verifikuar mbështetjen për politikën shtetërore.

Por, kritika të reja u bënë mbrëmjen e 6 shkurtit nga vetë presidenti i Serbisë dhe lideri i SNS-së, Aleksandar Vuçiq.

Në një video të postuar në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq kritikoi politikanen opozitare nga Kosova, Rada Trajkoviq, dhe tha se pretendimet e saj se ai dëshiron të dalë nga negociatat me Kosovën, janë gënjeshtra.

Ai tha se gënjeshtra janë thënë edhe gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë kushtuar Kosovës, pesë ditë më parë.

“Më mbron po aq sa partnerët e mi të koalicionit”, shtoi Vuçiq.

Në seancën që përmendi Vuçiq, u diskutua për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, gjatë periudhës nga shtatori i vitit 2022 deri në mes të janarit, 2023.

Duke komentuar disa propozime të Perëndimit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, opozita e kritikoi Vuçiqin për “mungesë transparence”, ndërsa partitë e djathta e akuzuan atë për “kapitullimin e shtetit”.

Thirrjet për zgjedhje

Anëtarët e SNS-së, pothuajse në të njëjtën kohë, filluan ta mbështesin Vuçiqin dhe të kërkojnë zgjedhje të reja.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë gjë e re për votuesit në Serbi, pasi ato janë mbajtur më 2014, 2016 dhe 2022.

“Zgjedhjet janë çelësi i zgjidhjes së krizës politike”, shkroi më 6 shkurt në Instagram ministrit për Ndërtim i Serbisë, Goran Vesiq.

Në të njëjtën ditë, nënkryetarja e Kuvendit të Serbisë nga radhët e SNS-së, Sandra Bozhiq, shkroi në Twitter: “Shkojmë në zgjedhje”.

Ministri i Tregtisë, Tomisllav Momiroviq, tha më 7 shkurt për Radio Televizionin e Serbisë se, gjatë periudhës së ardhshme, do të diskutohet nëse politika e presidentit të Serbisë në lidhje me Kosovën, e ka mbështetjen adekuate ose jo.

Duke iu referuar informacioneve jozyrtare, mediat raportuan se në takimin e SNS-së, Vuçiq ka thënë se partia e tij ka qenë e vetmja që ka mbrojtur interesat shtetërore në seancën e fundit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën.

Opsioni i zgjedhjeve

Nëse në Serbi do të shpalleshin zgjedhjet e jashtëzakonshme, kjo do të nënkuptonte disa muaj aktivitete parazgjedhore, zgjedhore dhe paszgjedhore.

Për shembull, pas zgjedhjeve të mbajtura në prill të vitit 2022, Qeveria e re është votuar në fund të tetorit të atij viti.

Gjatë asaj periudhe nuk mblidhet as Kuvendi i Serbisë, pasi ai shpërndahet në ditën e shpalljes së zgjedhjeve.

Sipas këtij skenari, zgjedhjet do të mbaheshin në një vit kur diplomatët perëndimorë po përpiqen t’i normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me një propozim të tyre.

Ky propozim i BE-së, i cili ka marrë mbështetjen e SHBA-së, nuk është bërë publik, por i është prezantuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti shkroi në llogarinë e tij në Twitter më 6 shkurt se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se e konsideron atë si një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme.

Vuçiq tha më 20 janar se është i gatshëm të punojë në konceptin dhe zbatimin e planit të propozuar, por me një rezervë, të cilën nuk e specifikoi. Megjithatë, disa javë më vonë, ai la të kuptohet se bëhet fjalë për pjesën ku thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.