A po kurdiset diçka? ‘Dosti’ i djalit të Isa Musafës dhe Ministrit Abdixhiku kërkon që të ndryshohen kriteret e tenderit të Autostradës së Gjilanit

Në ditën kur u denoncua se kërcënoi përmes telefonit sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës, Valon Ademi, ka dërguar në OSHP një ankesë në të cilën kërkon që në ritenderimin e tenderit për Autostradën e Gjilanit të ndryshohen dy kritere që janë dhënë nga Ministria.

Pronari i “A2 Group SHPK”, përveç se mik i Ministrit të ri të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, po del të jetë i afërt edhe me Besnik Mustafen, djalin e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa.

Dyshime se anulimi i tenderit për Autostradën e Gjilanit, mund të çojë në një kurdisje të tenderit të ardhshëm për ndërtimin e kësaj auto-udhe mbi 100 milionëshe, ngrit një ankesë e dërguar në Organin Shqyrtues të Prokurorimit, javën e shkuar.

Kompania “A2 Group SHPK”, në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, është ankuar të enjten në OSHP, dhe ka kërkuar nga ky organ që në ritenderimin e kësaj kontrate për ndërtimin e autostradës së Gjilanit të ndryshohen kriteret për operatorin teknik.

Kritere këto që e diskualifikuan këtë kompani, gjatë dhënies së tenderit në fjalë.

Ankesa të cilën e ka siguruar Gazeta Online “Reporteri.net”, është dorëzuar më 13 shkurt 2020, dhe përmban autorizimet e vetë pronarit të kompanisë Valon Ademi.

Kriteri në tender që kërkon që nëse operatorët ekonomik që aplikojnë si grup, atëherë 60% e stafit duhet të jenë të liderit të grupit dhe ajo që në këto raste obligon liderin e grupit që të ketë 60% të pajisjeve për kryerjen e punëve të tenderit, janë kriteret që po kundërshton biznesmeni Valon Ademi.

Për këto kritere, deri më tani nuk janë ankuar asnjë nga operatorët tjerë ekonomik që kishin ofertuar në këtë tender, përveç “A2 Group SHPK”, e që në rast të ndryshimit të këtyre kritereve atëherë i rritet mundësia kompanisë në pronësi të ‘dostit’ të Abdixhikut, Valon Adem, t’i ketë përshtati kushtet për të përfituar nga tenderi.

Valon Ademi, sipas raportimeve të mediave ka një afërsi shoqërore me Ministrin e Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, po atë ditë është denoncuar në Polici për kanosje nga sekretari i kësaj Ministrie Betim Recica.

Për rastin në fjalë, të njëjtën ditë, Recica përveç se Policinë, ka njoftuar përmes një shkrese edhe Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe Kryeministrin Albin Kurti.

Një ditë pas kanosjes dhe ankesës së “A2 Group SHPK” në OSHP, më 14 Shkurt, Zyra Ligjore e Kryeministrit ka rekomanduar anulimin e tenderit për Autostradën e Gjilanit me vlerë 110 milionë euro. Vendim që sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës e ka kundërshtuar dhe ka konsideruar pa bazë ligjore.

Në ankesën e tij në OSHP, Valon Ademi ka kërkuar sërish që kriteret tenderuese të ndryshohen. Kjo pasi i njëjti ankesë të ngjashme kishte dërguar në Ministri të Infrastrukturës, pasi ishte dhënë tenderi për Autostradën e Gjilan, për ndërtimin e së cilës kompania “A2 Group SHPK” nuk ishte zgjedhur në mesin e e kompanive fituese.

“Më datë 24.01.2020 kemi dorëzuar pranë AK-së kërkesën për rishqyrtim të Dosjes së Tenderit dhe më datë 03.02.2020 në është kthyer përgjigje kinse është aprovuar kërkesa dhe me datë 10.02.2020 është dërguar FDT me kritere të përmirësuara, mirëpo ne mendojmë se AK nuk ka bërë ndryshimin e kritereve dhe se ka bërë bishtrimin ose mashtrimin se ka aprovuar kërkesat të cilat ne si operator ekonomik konsiderojmë se ka abuzuar kinse si kërkesa të aprovuara, andaj ne kërkojmë që të trajtojë edhe një herë këto kërkesa”, thuhet në ankesën e “A2 Group SHPK”, e dërguar të enjten e shkuar në OSHP.

“Ne si operator ekonomik konsiderojmë se kërkesat e vendosura në ë Dosje të Tenderit janë kërkesa diskriminuese dhe konsiderojmë se do të zvogëlohet konkurrenca dhe rrjedhimisht do të dëmtohet buxheti i Republikës së Kosovës, sepse dihet se kur konkurrenca është e vogël edhe çmimi rritet”, thotë shkresa.

Ndërkohë, biznesmeni Valon Ademi, përveç miqësisë me Ministrin e Infrastrukturës, po del se shoqëri të mirë ka edhe me djalin e shefit të partisë së Lumir Abdixhikut, Besnikun e Isa Mustafes.

Të paktën këtë e shfaq fotografia e publikuar në Ballkani.info, ku ata shihen në shoqëri edhe bashkë me disa miq të tjerë të tyre, të veshur me ndërresa të kombëtares së Shqipërisë në futboll, që me gjase duhet të jetë në një nga rastet kur ata kanë bërë tifo në ndonjë ndeshje të kombëtares ‘Kuq e Zi’.

Nga ana tjetër, një ditë pas ankesës së “A2 Group SHPK” në Organin Shqyrtues të Prokurorimit, Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit kishte nisur ‘gjahun’ për shkarkimin e Sekretarit të ministrisë që ai drejton, Betim Recicën – duke nisur një shkresë në Prokurori Speciale të Kosovës me anë të së cilën ka kërkuar të dijë nëse Recica, që vetëm një ditë më parë i denoncoi ‘dostin’ në polici për kanosje, është duke u hetuar për ndonjë rast që lidhet me punën e tij.