Vizat

A po keqpërdoren vizat turistike? – Flet ambasadori gjerman në Kosovë

Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde ka folur rreth liberalizimit të vizave që hyri në fuqi nga 01.01.2024, vizave të punës dhe atyre për bashkim familjar.

Rohde tha se zyrtarët e shtetit të tij asnjëherë nuk janë frikësuar që kosovarët do ta keqpërdorin liberalizimin.

“Mendoj që nga ana jonë kurrë nuk ka qenë frikë sepse liberalizimi i vizave ka të bëjë me vizat turistike, dhe natyrisht ka disa njerëz edhe në vendet tjera ku keni liberalizim të vizave që qëndrojnë për qëllime të tjera dhe punojnë ilegalisht por ku nuk është një fenomen shumë i shprehur dhe do të thosha që 90% e njerëzve shkojnë për vizitë” – tha Rohde.

Ai shtoi se Ambasada gjermane është duke lëshuar vizat për bashkim familjar e viza pune gjithashtu.

“Gjermania është në fazën e liberalizimit të ligjeve të saj të imigrimit jo vetëm për Kosovën por për tërë botën sepse na duhen punëtorë të kualifikuar dhe kjo do të rris mundësitë për qytetarët në Ballkanin perëndimor përfshirë Kosovën që të emigrojnë dhe mendoj që numrat do të rriten ata tanimë janë të lartë sepse Gjermania tradicionalisht është një shtet që është i hapur për imigrantët për shtetet e Ballkanit perëndimor, posaçërisht për Kosovën”- tha Rohde në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai tha gjithashtu se para 3 viteve kishte listë të gjatë të pritjeve për rastet e bashkimeve familjare dhe se kjo ambasadë kishte angazhuar staf shtesë dhe se periudhat e pritjeve janë zvogëluar në masë të madhe.