Të premten pritet të mbahet seanca e radhës në Kuvendin Komunal në Rahovec, ku pritet të hidhet në votim projektbuxheti për vitin 2022-2023.

Partia Demokratike e Kosovës dega në Rahovec, përmes një komunikate në rrjetin social Facebook ka njoftuar se vota e tyre do te jetë pro buxhetit komunal.

Në status shkruhet se PDK ka shumë kritika, sepse buxheti i komunës nuk ka përgjigje për nevojat e qytetarëve, mirëpo në anën tjetër thuhet se ky buxhet do të votohet për hir të qytetarëve.

A është kjo kundërthënie një nënshtrim i kryetarit aktual të PDK-se Edon Cana ndaj kryetarit të komunës Smajl Latifi?

Me 8 qershor, Edon Cana u zgjodh kryetar i ri i Partisë Demokratike në Rahovec, por për më pak se 2 muaj duket se ai iu nënshtrua pushtetit lokal.

Kjo është komunikata e plotë e Partisë Demokratike – Dega Rahovec

-KOMUNIKATË-

“Vota e PDK-së do të jetë pro buxhetit komunal”

Pas propozimeve që i kemi marrë gjatë muajve të fundit në takime me qytetarë, bujq e fermerë, së bashku me anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së u dakorduam që nesër si grup i asamblistëve ta votojmë Buxhetin për vitin 2023.

PDK edhe sot ka shumë kritika, sepse Buxheti i Komunës së Rahovecit, që do të votohet në udhëheqjen e kryetarit Smajl Latifi, vazhdon të mos ketë përgjigje për nevojat e qytetarëve.

Shpresojmë që ky Buxhet të vihet në shpëtim të familjeve dhe ndërmarrësve, e nuk do të keqpërdoret në emër të tyre. Mirëpo, ne do  ti tejkalojmë inatet politike dhe për hir të qytetarëve, që janë në pasiguri ekonomike për shkak të krizës globale dhe vërshimeve të fundit, vendosëm ta votojmë Buxhetin.

Ky Buxhet duhet të jetë për qytetarët dhe vota jonë do të jetë për qytetarët.