A po frymëzohet Gjergj Dedaj nga kryeministri i Samoas, as ai s’po e lëshon zyrën

Samoa, shtet i vogël ishullor në jug të Oqeanit Paqësor, po përballet me një problem të pazakontë. Dy kryeministra po pretendojnë se janë në pushtet. Kryeministri që i ka humbur zgjedhjet po refuzon që ta dorëzojë pushtetin.

Kombet e Bashkuara u bënë thirrje udhëheqësve politikë në Samoa që krizën politike ta zgjidhin përmes dialogut, pasi rezultati i kontestuar i zgjedhjeve e la vendin e vogël në bllokadë. Dy politikanë po pretendojnë se kanë të drejtë ta udhëheqin shtetin.

Kryetarja e partisë FAST, Fiame Naomi Mataafa, pritej të bëhej kryeministrja e parë grua e Samoas, pasi siguroi shumicë të thjeshtë në kuvend dhe pasi fitorja e saj u miratua me një vendim gjykate. Sidoqoftë, kryeministri i deritashëm, Tuilaepa Sailele Malielegaoi, ka refuzuar që ta dorëzojë pushtetin dhe e ka akuzuar sistemin e drejtësisë për anësi.

Malielegaoi, i cili e ka qeverisur vendin për më shumë se dy dekada, është një nga aleatët më të ngushtë të Kinës në Paqësorin Jugor, shkruan Reuters.

Përderisa një varg vendimesh nga gjykatat e përkrahin fitoren e zonjës Mataafa në zgjedhje, Malielegaoi e gëzon përkrahjen e presidentit, i cili i ka pezulluar seancat e kuvendit, duke e bllokuar procesin e konfirmimit të qeverisë së re.

Antëtarët e partive opozitare të hënën zhvilluan një ceremoni për formimin e qeverisë para ndërtesës së mbyllur të kuvendit. Kryeministri i deritashëm e cilësoi veprimin si tradhti.

Kriza politike në shtetin me rreth 200 mijë banorë ka shkaktuar edhe reagime të vendeve tjera. Shtetet Federative të Mikronezisë u bënë vendi i parë që e njohën qeverinë e zonjës Mataafa. Australia dhe Zelanda e Re nuk e kanë njohur ende formalisht qeverinë e re, por kanë thënë se proceset demokratike dhe sistemi i drejtësisë duhet të respektohen.

Rezistencë të ngjashme me kryeministrin humbës të Samoas po bën edhe ambasadori i shkarkuar i Kosovës në Maqedoninë Veriore, Gjergj Dedaj. Ai të premten u lajmërua me një fotografi nga ambasada, duke shkruar: “Misioni diplomatik vazhdon”.