A po fillojnë ministrat e VV-së punësimin e militantëve me kontrata mbi vepër? Shpallën 7 konkurse DOKUMENT

Ministria e Punëve të Jashtme e drejtuar nga Glauk Konjufca së fundi i ka shpallur gjashtë konkurse për Shërbime të Veçanta me kohëzgjatje prej pak më shumë se gjashtë muaj.

Konkursi i parë është shpallur për Zyrtar ndërlidhës për Qendrën Kulturore në Turqi, më konkretisht për mision në Stamboll të Turqisë.

Sipas konkursit, kohëzgjatja e konkursit është 5 muaj e 29 ditë dhe paga bruto është 700 euro.

Edhe konkursi i dytë ka të bëjë me këtë fushë. Bëhet fjalë për Zyrtar ndërlidhës për Qendrën Kulturore në Zvicër (Cyrih). Edhe këtu është kohëzgjatja e njëjtë e shërbimit, pra 5 muaj e 29 ditë dhe paga 700 euro bruto, shkruan Ballkani.info.

Konkursi i tretë është për Njësia Organizative: Qendra Kulturore për Diasporë dhe Mërgatë në Suedi, më konkretisht në Malmo të Suedisë. Kohëzgjatja dhe paga është sikur në dy konkurset e lartëpërmenduara.

Konkursi tjetër i shpallur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, po ashtu me marrëveshje të veçantë është edhe ai për titullin e punës: Zhvillues dhe Përgjegjës i bazës së të dhënave. Ky zyrtar i përgjigjet udhëheqësit të divizionit për Hartimin dhe Përditësimin e Regjistrit të Diasporës dhe Mërgatës.

Edhe kjo kontratë do të zgjasë 5 muaj e 29 ditë, ndërsa puna do të kryhet në Prishtinë.

Paga bruto për këtë vend pune është 595 euro bruto.

Një tjetër konkurs është ai për Kodifikues dhe deziminues i të dhënave. Paga për këtë pozitë është 465 euro bruto me kohëzgjatje prej 5 muaj e 29 ditë.

Vendi i i punës: Në Prishtinë.

Konkursi i gjashtë dhe i fundit, po ashtu me marrëveshje të veçantë është për pozitën Zhvillues dhe përditësues i platformës online rd.rks-gov.net.

Paga edhe këtu është 465 euro bruto dhe vendi i punës në Prishtinë.

Konkurse për kontratë mbi vepër apo Marrëveshje për Shërbime të Veçantë ka shpallur edhe ministria tjetër që drejtohet nga zyrtari i VV-së. Bëhet fjalë për Ministrinë e Financave dhe Transfereve që drejtohet nga Besnik Bislimi.

Konkursi është shpallur për “eskpert të projektit për fuqizimin e Planfikimit të Ekzekutimit të Parasë së Gatshme.

Në konkurs thuhet se niveli i pagës është i negociuar.

Kohëzgjatja e kontatës është tre mua, me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj.

Ky konkurs është shpallur më 6 mars derisa kohëzgjatja është deri më 13 mars, pra deri nesër. /Ballkani.info/