Studiuesit në Shkollën Mjekësore të Harvardit në Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar se cilat lloje qelizash për nuhatje janë më të prekshme nga koronavirusi.

Ata u befasuan kur kuptuan se neuronet shqisore, të cilat zbulojnë dhe transmetojnë ndjenjën e nuhatjes në tru, nuk janë të prekshme nga sëmundja. Në vend të kësaj, studimi i tyre zbuloi se sulmon qelizat që mbështesin neuronet e ndjeshme të nuhatjes.

Mjeku Sandeep Robert Datta, profesor i neurologjisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe bashkautor i studimit, tha se ky ishte një konstatim pozitiv sepse sugjeron që shumica e rasteve me COVID-19, nuk ka të ngjarë të shkaktojnë humbje të përhershme të nuhatjes.

“Gjetjet tona tregojnë se koronavirusi ndryshon ndjenjën e aromës te pacientët jo duke infektuar drejtpërdrejt neuronet, por duke ndikuar në funksionin e qelizave mbështetëse. Unë mendoj se është një lajm i mirë, sepse pasi të largohet infeksioni, neuronet e erës nuk duhet të zëvendësohen ose të rindërtohen nga e para. Ne kemi nevojë për më shumë të dhëna dhe një kuptim më të mirë të mekanizmave themelorë për të konfirmuar këtë përfundim”, tha ai.

Ekipi i hulumtimit shpreson se rezultatet e studimit do të ndihmojnë në përshpejtimin e përpjekjeve për të kuptuar më mirë humbjen e erës te pacientët me COVID-19, të cilat mund të çojnë në trajtimin e anosmisë dhe diagnostikimin e sëmundjeve bazuar në nuhatje.