A mund të futet Rama në zgjedhjet e Kosovës, ashtu siç garoi Albini në Shqipëri?

Shkruan: Kreshnik Spahiu

E keni lexuar Romanin e Ismail Kadaresë: “Krushqit janë të ngrirë”?

As zjarri i dashurisë nuk e shkrinte dot akullin e marrëdhënieve njerëzore shqiptaro-serbe të cilat ishin ngrirë prej 1000 vitesh si akullnajë.

Ndoshta ka ardhur koha që zoti Kadare të shkruaj vëllimin 2 “Krushqit Shqipëri-Kosovë kanë ngrirë”

“Vjehrra” e Kosovës Vjosa Osmani nuk uroi krushkun për dasmën e madhe.

Vjosa Osmani ende se ka kuptuar që është kryetare e shtetit dhe jo e familjes Osmani.

Kosova është zemra e Shqipërisë dhe Vjosa apo Albini nuk mundet me e përfaqëso si në bajrakun e vet.

Albin Kurti zyrtarisht dhe politikisht u përfshi në zgjedhjet e Shqipërisë si më poshtë:

– Vetëvendosja u regjistrua si parti politike në Shqipëri.

– Vetëvendosja regjistroi liderët e saj në Tiranë si kandidatë në zgjedhje.

– Vetëvendosja hyri në zgjedhjet e Shqipërisë kur Albini u bë kryeministër i Kosovës dhe jo kur ishte në opozitë.

– Vetëvendosja në Shqipëri u përfshi në disa protesta anti-qeveritare.

– Albin Kurti u përfshi zyrtarisht në fushatë elektorale për zgjedhjet në Shqipëri duke qenë i pranishëm edhe fizikisht në Lezhë, Tiranë dhe Gjirokastër.

– Albin Kurti uroj i fundit qeverinë e re të Shqipërisë, madje pas Greqisë, Italisë,

– Turqisë, Maqedonisë, BE, SHBA…

Faktikisht dhe zyrtarisht Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë treguar më të ftohtë se fqinjët tanë.

Ata të dy i kanë ngrirë marrëdhëniet me Shqipërinë.

Ata ndoshta kanë 1001 arsye që tregohen të ftohtë dhe po bëjnë sikur i kuptojmë.

Tani lind pyetja: A i shërben lufta për rrëzimin e pushtetit në Shqipëri një lëvizje patriotike si Vetëvendosja?

Në këto kushte unë po rendis ato çfarë ka bërë Vetëvendosja në Shqipëri a do ishin normale dhe të pranueshme për opinionin nëse Edi Rama dhe PS veprojnë në Kosovë njësoj si Albini Kurti në Shqipëri?

1- Nëse Partia Socialiste regjistrohet si parti politike në Kosovë?

2- Nëse Partia Socialiste organizon protesta për rrëzimin e Albin Kurtit në Kosovë?

3- Nëse Edi Rama përdor fondet e Shqipërisë me rrëzua qeverinë e Kosovës?

4- Nëse Edi Rama shkon në fushatë elektorale me listën e tij në Prishtinë për të larguar Albin Kurtin?

5- Nëse Edi Rama e uron fitoren e Albinit apo Vjosës me kushte dhe thotë verifikoni votat se mund mos jenë të rregullta dhe mund keni ble disa deputet nga LDK-ja?

Unë nuk po jap konkluzion dhe përgjigje pro apo kundër, sepse për mua Albini dhe Edvini janë njësoj:

– Albini është kryeministri i atdheut tim, ku më ka lindur babi.

– Edvini është kryeministri mëmëdheut tim, ku kam varrosur nënën time.

Unë nuk mund t’i ndaj dot ata, por nëse ka vepruar drejt Albini duhet edhe Edvini të garojë për pushtet në Kosovë, dhe anasjelltas, nëse s’duhet të garoj Edvini në Kosovë atëherë duhet edhe Albini me u tërheq.

Shqiponja shqiptare është dy krenare, njëra s’mundet me kafshu tjetrën.