A ka ndryshuar qëndrim Rumania drejt njohjes së Kosovës? Flasin nga MPJ-ja rumune

Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë ka thënë se mbështesin fuqishëm marrëveshjen e arritur në Ohër ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.

Të pyetur nga Demokracia.com lidhur me ndryshimin e qëndrimit të njohjes drejt Kosovës, MPJ-ja rumune nuk ka dhënë ndonjë detaj, ndonëse ka thënë se mbështesin dialogun Kosovë-Serbi.

“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson rezultatet e arritura në Ohër, më 18 mars, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, me udhëheqjen aktive të Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, të cilin ne e mbështesim fuqishëm”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

“Ne inkurajojmë të dyja palët që të vazhdojnë punën gjithëpërfshirëse drejt zbatimit, e cila është thelbësore për të ecur përpara”, vijoi një zëdhënës i MPJ-së rumune.

“Rumania mbështet Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë kryesore për një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë”.

MPJ-ja spanjolle ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrim, përkundër arritjes së marrëveshjes së Ohrit. Të pyetur lidhur me komentin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, se ai është optimist se shtetet mos-njohëse do të ndryshojnë qëndrim ndaj Kosovës pas Marrëveshjes së Ohrit, një zëdhënëse e MPJ-së së Spanjës tha se mbështet një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Spanja ruan pozicionin e saj si mosnjohëse e shpalljes së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina më 2008-ën dhe mbështet fuqimisht një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në kuadrin e Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja”, deklaroi për Demokracia.com. zëdhënësja e diplomacisë spanjolle.

Pas Marrëveshjes së Ohrit, për pozicionin e tyre drejt njohjes së Kosovës janë deklaruar edhe nga Greqia. Presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropoulou, një herë nga Athina e më pas edhe nga vizita zyrtare në Beograd e ka theksuar se Greqia s’e njeh pavarësinë e Kosovës.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është shprehur optimist se Marrëveshja e Ohrit mund t’i nxis pesë shtetet mos-njohëse që ta njohin Kosovën.

“Është shumë një çështje që ngrihej dhe vazhdon të diskutohet. Por unë gjithashtu mendoj se kjo marrëveshje përsëri, në fakt na vendos në një rrugë drejt njohjes nga këto vende. Tani vetë Serbia, kjo mund të jetë një çështje tjetër për ca kohë, por nëse ata arrijnë në një marrëdhënie të normalizuar, unë mendoj se do të ketë efekte shumë pozitive vetëm në ndërveprimet e përditshme dhe mendoj se përfundimisht do të arrijë atje. Por, sa i përket pesë vendet e mbetura, fakti që të dyja vendet tani kanë arritur këtë marrëveshje dhe duke supozuar se do ta zbatojnë atë, mendoj se do t’i shtyjë ata drejt njohjes”, ka thënë Blinken.

Pesë shtetet mos-njohëse anëtare të BE-së janë Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.