A ka kryeministër, ministër të Shëndetësisë ky vend? Heshtje totale për vaksinimin në veri nga Serbia

Serbia të enjten nisi vaksinimin kundër COVID-19 për qytetarët e saj, ndërsa të premten i vaksinoi edhe disa qytetarë të Kosovës.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e dha lajmin në një konferencë për media se vaksinimi i serbëve të Kosovës filloi në Leposaviq, e më pas do të vazhdojë edhe në veri të Mitrovicës.

Megjithëse kjo nxiti shumë reagime që e konsideruan si cenim të drejtëpërdrejtë të sovranitetit të vendit, zyrtarët përgjegjës të Kosovës nuk e thanë asnjë fjalë dhe shpjegim për gjithë procesin që u zhvillua në komunat veriore.

Klani ka adresuar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë, por s’ka marrë asnjë përgjigje, ndonëse priti disa orë.

Faik Hoti dhe Dona Lluka nga Zyra për Media nuk ishin të qasshëm. Njëlloj ishte edhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe këshilltarët e tij.

Ndërkaq, në Qeverinë e Kosovës thanë se kjo çështje i takon Ministrisë së Shëndetësisë.

Për këtë temë që s’reaguan institucionet përgjegjëse, pati reagime nga përfaqësues tjerë politikë të opozitës.

Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se vaksinimi i qytetarëve në veri të vendit nga Ministria e Shëndetësisë së Serbisë është një shkelje e sovranitetit të Kosovës.

“Vaksinimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë përbrenda territorit të Kosovës përbën shkelje të sovranitetit dhe kërcënim për sigurinë e vendit”.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi, nuk kritikoi vetëm qeveritarët aktualë se po lejojnë të cenohet sovraniteti, por tha se Abazi duhet ta kujtojë që edhe në qeverinë e kaluar u morën 1000 teste nga Serbia.

“Tregoni Haki Abazit se nuk ka dallim në mes të 1.000 testeve që i kishte sjellë Serbia në veri të Kosovë gjatë qeverisë Kurti, me vaksinimin e qytetarëve të Kosovës në veri nga Serbia, gjatë qeverisë Hoti. Në të dyja raste, koalicionet VV-LDK dhe LDK-AAK-Nisma, kanë dështuar në mbrojtjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës. Në esencë, qeveria Hoti është gjunjëzuar para Serbisë, njëjtë siç ishte dorëzuar qeveria Kurti në fillim të pandemisë”.