Daut Haradinaj

A ka fonde të mjaftueshme për Ushtrinë? Flet Daut Haradinaj

Deputeti i AAK-së ka folur për Ushtrinë e Kosovës, konkretisht për buxhetin e nevojshëm.

Ai në këtë diskutim ndërlidhi shpenzimet që janë për autostrada, duke thënë se nëse kemi buxhetë për atë, duket të ketë edhe për Ushtri.

Haradinaj deklaroi se “nëse kemi buxhet që të shpenzojmë 1 miliard në autostrada, duhet t’i kemi 5 milionë euro në vit për Ushtri, pasi Autostrada nuk e garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të një Republike, dhe një shtet nuk është i kompletuar pa Ushtri”, tha ai në rtv21.

Sipas tij, Kosovës nuk i kushton asgjë t’i lë 200 metra ose 2 kilometra autostradë pa ndërtuar, pasi autostrada mund të vazhdohet edhe pas 5 apo 7 viteve, ndërsa krijimi i kapaciteteve mbrojtëse duhet të kryhet, pasi pretendimet tona janë të jemi pjesë e NATO-s, e nuk mund të jesh pjesë e NATO-s pa pasur infrastrukturë ushtarake.

Sa i përket procesit të formimit të Ushtrisë dhe kohës që kjo ka marrë për t’u futur në funksion, Haradinaj ka deklaruar se është i kënaqur, për shkak të realitetit i cili është në Kosovë, pasi dëshira e tij ka qenë që në vitin 1999 kur është bërë demilitarizimi i UÇK-së dhe transformimi i tij në TMK, të formohej ushtria e Kosovës.

Haradinaj deklaron se nëse shikojmë vitet, Kosova ka humbur shumë vite pa një mekanizëm, e në rrethanat që jemi sot është një arritje shumë e madhe, me të cilën duhet të ndihen krenarë të gjithë njerëzit në Kosovë.