A ishte Berat Buzhala në takim me Thaçin? Drejtori i Express-it flet për videon e publikuar sot

Drejtori i Gazetës Express, Berat Buzhala e ka quajtur propagandë një video-lajm të rremë të përhapur sot nga portali Kallxo.com, i afërt me Haki Abazin, zëvendëskryeministrin e Kosovës.

Portali Kallxo.com ka raportuar të premten për vizitën që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë një restoranti në qendër të Prishtinës. Videoja pretendohet të jetë filmuar rreth një javë më parë.

Kjo video është shpërndarë në rrjet nga mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje, me pretendimet se me presidentin Thaçi brenda restorantit ndodhej Berat Buzhala, drejtori i Gazetës Express dhe Mefail Limani, redaktori i RTK-së, shkruan Insajderi.

Por, Buzhala ka reaguar sot ashpër ndaj videos së publikuar nga portali i afërt me qeverinë.

“Nëse del e incizon gjithë ditën në një pozitë të caktuar në qytet, atëherë gjasat reale janë që brenda një hapësire të caktuar, në kohë të ndryshme mundemi me qenë unë, Hasha, Albini etj”, ka thënë Buzhala.

Buzhala i ka cilësuar shqetësuese montazhet e videove, të cilat kanë cak dëmtimin e qëllimshëm të gazetarëve.

“Pra kjo është fake news. Kur bën montazh dhe i publikon ne opinion si një tërësi. Është tepër shqetësuese që dikush me kamerë i incizon lëvizjet e gazetarëve. Kështu kanë bërë vetëm fashistët”, ka thënë ai.

Sipas drejtorit të Gazetës Express, takimi i fundit i tij me Thaçin ka ndodhur në studiot e emisionit Pressing të Televizionit T7 – në të cilin Buzhala shfaqet shpeshherë në rolin e analistit – disa javë më parë.

“Unë Hashën, për herë të fundit, e kam taku fizikisht kur ka qenë në Pressing. Çfarë makinerie propagandistike”, ka deklaruar publicisti Buzhala.