A i shpenzoi KQZ-ja të gjitha paratë që u ndanë për mbajtjen e zgjedhjeve?

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, përfunduan të dielën.

Në fakt, të dielën përfundoi vetëm procesi i votimit dhe organizimit të tij, teksa është duke vazhduar ende numërimi i votave, shkruan lajmi.net.

Rreth pesë milionë e 700 mijë euro i kishte ndarë ministria e Financave Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në këtë proces.

Të gjitha shpenzimet nga KQZ-ja ishin transparente përmes prokurimit publik të Republikës së Kosovës.

Lajmi.net kishte raportuar më herët për shpenzimet e bëra nga KQZ para zgjedhjeve.

E shuma totale e shpenzimeve që u bënë këto zgjedhje nuk dihet akoma.

Kjo për shkakun se procesi zgjedhor nuk është përmbyllur krejtësisht në Republikën e Kosovës. Këtë për lajmi.net e konfirmon edhe Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.

Ai thotë se ende nuk dihet kostoja finale e këtyre zgjedhjeve.

“Procesi zgjedhor nuk është përmbyllur akoma dhe rrjedhimisht nuk mund të dijmë koston e përgjithshme të këtyre zgjedhjeve”, thotë ai.

Elezi konfirmon se mjetet e tepruara nga shuma e ndarë nga ministria e Financave do t’i kthehen buxhetit të shtetit të Kosovës.

“Mjetet të cilat nuk shpenzohen kthehen në buxhetin e shtetit”, thotë ai.

Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Ai dha dorëheqje më 19 korrik, teksa rreth dy muaj e gjysmë më vonë u mbajtën zgjedhjet, fituese e të cilave doli Vetëvendosje.

loading…