LDK

A i mblodhi Isa Mustafa njerëzit e tij në LDK? Hoti e Murtezaj shihen në takimin e fundvitit

Isa Mustafa, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, vazhdon të jetë aktiv në jetën politike, ndonëse jo aq vrullshëm sa më përpara. Megjithatë, ai nuk ngurron të flasë sa herë që pyetet nga gazetarët për rrjedhat politike në vend. Madje, gjatë këtij viti, Mustafa kishte pasur edhe disa kritika ndaj Lumir Abdixhikut, kryetar i LDK-së.

Për më shumë, Nacionale kishte shkruar për përplasjen nga distanca mes Mustafës e Abdixhikut, ku ishte përmendur edhe termi turp e ishte përfshirë edhe këshilla për “fjalë më pak”. Krejt kjo përplasje ishte bërë për shkak të së kaluarës së LDK-së.

Së fundmi, kritika ndaj Abdixhikut kishte pasur edhe Valon Murtezaj, pasi nuk ishte rizgjedhur në Kryesinë e LDK-së. Përveç Murtezajt, edhe Avdullah Hoti nuk është se e ka pasur marrëdhënien më të mirë në botë me Abdixhikun.

Madje, Hoti gati asnjëherë nuk e ka përmendur togfjalëshin “Rruga e Re”, një program politik i nisur nga Abdixhiku. Në këtë kontekst, Hoti nuk e ka përditësuar as fotografinë e profilit dhe as të sfondit me logon e “Rrugës së Re”, siç kanë bërë shumë prej deputetëve, zyrtarëve e aktivistëve të LDK-së.

Për më shumë, deri në momentet e fundit, Hoti nuk e kishte mohuar e as pohuar mundësinë e kandidimit për kryetar të LDK-së në zgjedhjet e fundit, të cilat Abdixhiku i fitoi me lehtësi e pa kundërkandidat.

“Kur të caktohet Kuvendi zgjedhor, sipas statutit, atëherë do të prezantohen kandidaturat. Pra, në këtë moment kohor ende nuk është momenti as për mua dhe për askënd tjetër që të prezantoj kandidaturën”- ishte shprehur Hoti për Nacionalen.

Të tria këto personalitete janë parë sot bashkë në një restorant në Prishtinë. Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e publikoi fotografinë me Mustafën e Murtezajn, duke shkruar se janë takuar “për të uruar njëri-tjetrin”.

“Në përfundim të vitit, për të uruar njëri-tjetrin dhe për të shprehur mirënjohjen për miqtë e mi” – shkroi ai.

Pra Hoti i ka cilësuar Mustafën e Murtezajn miq të tij, me të cilët u takua për t’ua “shprehur mirënjohjen”. Përbërja e takimit, pra e njerëzve pjesëmarrës aty, dhe përzgjedhja e mbishkrimit në foto lënë hapësirë për një pyetje legjitime: A i mblodhi në një ndejë modeste Isa Mustafa njerëzit e tij në LDK?

Lehtësisht ky takim mund të cilësohet si takim i “celulës së të pakënaqurve” me Abdixhikun e “Rrugës së re”.

Sjellim ndër mend që Murtezaj kishte shkruar me fjalë të ashpra për lënien jashtë të tij në Kryesinë e re të LDK-së.

“Mospërfshirja në përbërjen e Kryesisë së LDK-së, nuk ishte aksidentale, ishte e shenjëstruar.

Kjo sjellje e shëmtuar nuk i takon shpirtit dhe frymës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shpirti Rugovian nuk e duron këtë” – shkroi Murtezaj në Facebook para disa javëve.