A është emri i Rexhep Qosjes “mollë sherri” për dështimin e marrëveshjes për koalicion?Tregon Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas lajmeve se arsyeja pse nuk po merren vesh për çështjen e presidentin me LDK-në është sepse këtë pozitë e kanë rezervuar për Rexhep Qosjen

Drejtues i Sekretariatit për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Erzen Vraniqi ka shkruar në Facebook se një lajm i tillë është dezinformatë, e se as Albin Kurti e as VV-ja nuk kanë propozuar apo mbështetur ndonjë emër të caktuar për president.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se për këtë temë nuk ka pasur as diskutim në strukturat e partisë. Kjo sipas VV-së, pasi që fillimisht duhet të krijohet qeveria.

“Mjaft me dezinformata! As Albin Kurti, dhe as Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e ka propozuar, preferuar, mbështetur apo kundërshtuar asnjë emër të caktuar për president. Ne nuk e kemi bërë fare këtë diskutim në strukturat tona, sepse tash duhet të krijojmë qeverinë e jo të gjejmë presidentin. Qëndrimi ynë, ashtu si dhe qëndrimi i figurave të LDK gjatë fushatës zgjedhore, është se presidenti duhet të diskutohet kur t’i vijë koha”, ka shkruar ai