A e dini si ishte vrarë në Prishtinë gazetari dhe aktivisti i LDK’së, Enver Maloku?

Dje janë bërë 23 vjet prej kur gazetari dhe aktivisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Enver Maloku, u vra pak metra larg banesës së tij në përdhesë në Prishtinë, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, të cilët po e prisnin në dritare ndërsa ai kthehej nga puna.

Vajza e tij, Doruntinë Maloku, në vitin 2015 në emisionin “Komiteti” të Express, kishte shpalosur detaje rreth vrasjes së babait të saj më 11 janar 1999. Atëherë ajo ishte 16-vjeçare.

“Ka qenë ditë e hënë, me borë dhe me diell. Babi ishte në punë dhe rreth orës 2 të ditës, thirri në shtëpi dhe na tha që t’i merrnim Drinin dhe Lonin, vëllezërit e mi që t’i shëtisnim jashtë sepse po nxehte dielli. Kur dolëm me mamin, pamë se kishte shumë forca policore rreth lagjes sonë (në Bregun e Diellit) dhe u kthyem shpejt”, nis Doruntinë Maloku rrëfimin e saj për ngjarjen më të trishtë që e ka përjetuar.

Enver Maloku duhej të kthehej nga puna në shtëpi rreth orës 16:00. Atëherë ishte Ramazan dhe punëtorët e Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), ktheheshin në shtëpi për kohën e iftarit.

“Prisnim që babi të vinte rreth orës 4 dhe ne e prisnim të gjithë në dritare. Mami ishte me vëllain e madh në një dritare, unë në një dritare ndërsa vëllai i vogël në dritaren tjetër dhe prisnim që t’i thonim atij të merrte bukë sepse në furrën përballë ndërtesës sonë bëhej një radhë shumë e gjatë – siç e dini, para luftës në kohën e iftarit bëheshin radhë të gjata para furrave – dhe kështu duke pritur, babi erdhi me makinë, e parkoi makinën para dritares, si zakonisht, doli nga makina, e mori çantën e krahut që e kishte me vete dhe ne i trokitëm në dritare për t’ia kujtuar që ta merrte bukën”, tregon ish-deputetja e LDK-së.

Ajo kishte treguar edhe për momentin kur tre plumba ishin shkrepur në drejtim të babait të saj, i cili edhe pasi pushuan krismat, ia hodhi edhe njëherë sytë familjarëve në dritare.

“Në atë moment kur unë i kam trokitur babit, ai më ka shikuar dhe janë dëgjuar dy krisma të njëpasnjëshme. Njëherë për një moment nuk kemi ditur çka po ndodh. Unë jam stepur dhe ka qenë edhe një krismë, është dëgjuar edhe një krismë në atë moment. Babi, siç ka qenë me shpinë nga unë – sepse u kthye për ta mbyllur derën e veturës – e pashë që ndoshta fuqia e plumbit e ktheu babin krejt nga ana jonë. Babi na shikoi drejt në sy dhe ra në tokë”, tregon Doruntinë Maloku.

Menjëherë, ajo, nëna dhe dy vllezërit e saj 9 dhe 10 vjeç, dolën poshtë dhe vrapuan drejt Enver Malokut.

“E mbaj në mend që i kam pasur duart e lara me gjak deri këtu, duke u përpjekur që ta fusnim babin në makinë dhe ta dërgonim në emergjencë.”

Rreth 30 ose 40 fqinj të cilët po prisnin para furrës për të marrë bukë kishin qenë dëshmitarë të kësaj vrasjeje, thotë Maloku. Ata, ishin përpjekur për t’i kapur katër vrasësit pa maska, por s’kishin arritur.

“Në momentin kur babi e ka ndalur veturën – sepse ne e prisnim paraprakisht – kemi parë 4 persona që kanë ardhur me vrap nga ana e majtë e rrugës, të pamaskuar, dhe janë ndalur aty në momentin kur e kanë gjuajtur babin. Pastaj, pas vrasjes, minuta më pas, fqinjtë tanë të cilët kanë qenë më larg – diku rreth 50 metra në anën e kundërt – i kanë parë vrasësit teksa vinin nga drejtimi i tyre dhe janë përpjekur që t’i ndiqnin. Por ata kanë humbur diku mes blloqeve të ndërtesave”, tregon Doruntinë Maloku.

Enver Malokun, me veturë të tij, e çoi në emergjencë një fqi. Gruaja e Enver Malokut ishte ulur përpara, ndërsa vajza e tij, Doruntina, e cila e tregon ngjarjen, thotë se ishte mbrapa duke e mbajtur atë në prehër e duke i ndihmuar të merrte frymë. Njëri prej plumbave e kishte goditur në fyt dhe Enver Maloku s’kishte arritur të fliste, ndonëse ishte përpjekur t’i thoshte diçka asaj.

“Kur kemi mbërritur atje, e gjithë emergjenca ka qenë e mbushur me inspektorë të sigurimit të atëhershëm të UDB-së. Kanë pritur aty dhe nuk na kanë ndihmuar aspak. Mezi e kemi gjetur një telefon për t’i lajmëruar miqtë dhe familjarët që babi është plagosur. Babi ka qenë gjallë, por meqë njëri nga plumbat e ka goditur këtu (në fyt), nuk mund të fliste. Tërë kohën deri në spital është përpjekur të më thotë diçka. Unë vazhdimisht i kam dhënë frymë artificiale, por…”.

Ndaj Enver Malokur kishte pasur një tentim vrasje edhe në vitin 1998, në një mbrëmje të korrukut, kur ai kishte qenë duke u kthyer nga puna.

Enver Maloku një kohë kishte punuar arsimtar në shkollën fillore të Bradashit në Podujevë, kurse prej vitit 1979 ishte angazhuar në Televizionin e Prishtinës, në programin e kulturës. Maloku, gazetari kryesor i kulturës në Televizionin e Prishtinës, para se ky të mbyllej nga pushtuesi serb më 1990, u bë në vitet ’90 një prej gazetarëve më të shquar të politikës në Kosovë.

Maloku për gati gjashtë vjet e kishte udhëhequr Qendrën për Informim.

Më 4 Prill 2016, Presidetnja Atifete Jahjaga e kishte dekoruar Enver Malokun me Urdhërin “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësine e vendit.

Më poshtë, rrëfimi i plotë i Doruninë Malokut për vrasjen e babait të saj, Enver Malokut: