Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se qeveria po përgatit një “letër të rëndësishme” për ndikimin e një vendi të rëndësishëm dhe ndërhyrjen e tij në procesin zgjedhor në shtetin fqinj të Kosovës.

Duke iu përgjigjur një gazetari të televizionit Pink, televizion ky i kapur plotësisht nga regjimi serb, i njohur për koordinimin e pyetjeve që do të bëhen në konferencë me kabinetin e tij, Vuçiq iu referua kritikave nga Gjermania në lidhje me procesin zgjedhor në Serbi, transmeton Ballkani.info.

Ai tha se autoritetet shtetërore janë duke përgatitur një dokument të rëndësishëm, gjegjësisht një deklaratë për ndikimin e një vendi të rëndësishëm dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor në Serbi në mënyrën më brutale deri më tani, siç tha ai.

“Besoj se për dhjetë ditë deri në Vitin e Ri do të përfundojë diku dhe më pas para Krishtlindjes Ortodokse do të mund ta dërgojmë në mbarë botën për të parë se si kryhet kjo lloj ndërhyrje në një proces që duhet t’i përkasë sovranisht një vendi të pavarur”, theksoi Vuçiq.

Se diçka me zgjedhjet serbe nuk është ashtu siç duhet, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, e cila në mesazhin e saj nënvizoi se ajo që u pa gjatë ditës së zgjedhjeve nuk ishte e pranueshme për një vend që ka statusin e kandidatit për anëtarësimi në BE.

“Serbia votoi, por OSBE dhe ODIHR raportojnë keqpërdorim të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave. Kjo është e papranueshme për një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”, tha ministria gjermane e Punëve të Jashtme në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X.

Stefan Senach, kreu i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që vëzhgoi zgjedhjet në Serbi, tha se e vërteta në Serbi është disi tronditëse, se zgjedhjet nuk ishin të drejta, se votat u manipuluan dhe para se gjithash ky është një problem për një vend që dëshiron të ecë në rrugë demokratike.

“Ajo që pamë ishte një fushatë e tërë e dominuar nga presidenti. Kjo nuk është punë e presidentit. Presidenti është një person neutral që duhet të garantojë për vendin dhe të gjithë njerëzit. Por presidenti aktual i menaxhoi zgjedhjet dhe ishte kandidat në të gjitha nivelet, pavarësisht nëse në pyetje ishte fshati apo e gjithë republika”, kujtoi Senach.

I pyetur për deklaratën e Vladimir Bilçikut, raportuesit të Parlamentit Evropian për Serbinë, i cili tha se zgjedhjet kaluan pa probleme, Senach thotë se partneriteti dhe demokracia nuk qëndrojnë në fjalë të bukura, por në të vërtetën.

“Dhe e vërteta ishte pak tronditëse për atë që po ndodh në vendin tuaj”, vuri në dukje ai.

Në konferencën për media të misionit të ODIHR-it u theksua se Partia Progresive Serbe (SNS) kishte një avantazh sistematik që krijoi kushte të padrejta në zgjedhje dhe dominonte përfshirja e Presidentit të Serbisë në fushatë.

“Kjo cenon seriozisht kushtet e ndershme në garën zgjedhore, sepse presidenti supozohet të jetë një figurë neutrale që shpreh unitetin kombëtar”, thanë vëzhguesit.

Kushtet e padrejta zgjedhore dhe manipulimi i supozuar i votave u tha se ishin “probleme shumë serioze” që duhet të adresohen nga institucionet serbe.

Siç u tha, u konstatua votim në grup dhe cenim i fshehtësisë së votës.

“Kemi parë parregullsi serioze, si blerja e votave dhe futja e votave në kuti”, thanë përfaqësuesit e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Socialdemokratët, të cilët përbëjnë grupin e dytë më të madh të PE, theksojnë se procesi zgjedhor në Serbi është i diskutueshëm. Në deklaratën e tyre ata theksuan se është i nevojshëm hetimi i të gjitha parregullsive të raportuara. /Ballkani.info/