A duhet të reagojnë ndërkombëtarët? | Kabineti i Daçiqit me gjuhë raciste: Arsimimi s’ka qenë asnjëherë pikë e fortë e prishtinasve

Nikola Nedeljkoviq, shef i kabinetit të Ivica Daçiqit, ka reaguar ndaj Blerim Velës, shefit të kabinetit të presidentes së Kosovës, pasi ky i fundit tha se Serbia po e shkel marrëveshjen e Ohrit përmes lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Shefi i kabinetit të Daçiqit është kontaktuar nga ‘Kosovo-Online’, mediumi serb që operon në Kosovë , i cili ka dhënë komente tendencioze dhe raciste në drejtim të kosovarëve, shkruan Demokracia.com.

“Arsimimi asnjëherë nuk ka qenë pikë e fortë për banorët e Prishtinës, prandaj është e kuptueshme që Vela [Blerim Vela] nuk ka mësuar se vendet e vizituara nga ministri Daçiq as nuk e njohin Kosovën dhe as nuk kanë votuar ndonjëherë pro Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha Nedeljkoviq.

Komentet e tij vijnë në periudhën kur shefi i tij, Ivica Daçiq, po lobon të pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB përgjatë vizitave në shtetet e Azisë Qëndrore.

Lidhur me këtë ka reaguar shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela, i cili ka thënë se nëpërmjet kësaj po shkelet neni 4 i Marrëveshjes së Ohrit.

“Daçiq po viziton vendet që janë nën sferën e ndikimit rus. Një veprim i dëshpëruar për të minuar zbatimin e nenit 4 të marrëveshjes me Kosovën. Serbia do të shkelë nenin 4 nëse voton kundër anëtarësimit të Kosovës në organet ndërkombëtare. Së shpejti do të vihet në provë!”, deklaroi Vela në ‘Twitter’.