Albin Kurti mund të shndërrohet nesër ose të hënën në kryeministrin më jetëshkurtër jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Pas vetëm 44 ditësh të qeverisjes, partneri i tij në koalicionin qeveritar, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, paralajmëroi mocion votëbesimi për qeverinë e drejtuar nga Kurti.
LDK-ja tashmë ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për inicimin e seancës në të cilën do të hidhej në votim mocioni për rrëzimin e Kurtit. Isa Mustafa dje ka takuar ish kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ish zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, tash opozitarë, të cilët ia kanë premtuar votat e tyre për rrëzimin e Kurtit.
AAK e Haradinajt i ka 13 deputetë, kurse Nisma e Limajt bashkë me Pacollin i kanë 6 deputetë. LDK-ja në anën tjetër i ka 28 deputetë.
Shtrohet pyetja se pse Haradinaj e pranoi kërkesën e Mustafës për t’ia dhënë nënshkrimet e deputetëve të AAK-së për rrëzimin e Kurtit?
Kur Haradinajt i kishte ardhur ftesa nga Gjykata Speciale dhe ai dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 19 korrik të vitit të kaluar, Albin Kurti aso kohe jo që nuk kishte ndjerë keqardhje, por kishte thënë se ishte dorëheqje e vonuar.
“Z. Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Moti është dashur të japë dorëheqje”, pati thënë Kurti, duke mos shprehur fare keqardhje që ai po largohej për shkak të ftesës për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale.
Jo vetëm keqardhje, por Kurti edhe ishte tallur me Haradinajn. “Së fundi e pa që mocionin e mosbesimit të opozitës do ta votonin edhe disa prej deputetëve që e kishin mbështetur fillimisht. E kuptoi atë që ia kishim thënë dikur: kryeministrinë e ka pasur si biçikletë hua nga PDK-ja për të bërë ndonjë xhiro…”, thoshte ai.
Ky qëndrim i Kurtit kishte irrituar masën e gjerë, pasi që ai shihej si përfitues nga një situatë e tillë e dhimbshme.
Në situatën e tashme në të cilën gjendet Kurti duke shkuar sigurt drejt rrëzimit, shtrohet çështja a ka lënë hapësirë për keqardhje ndaj tij?
Jo vetëm në këtë rast, por Kurti tashmë njihet si politikan që nuk lë afër vetës shumë miq, të paktën këtë e kanë thënë ish miqtë dhe bashkëpunëtorët e afërt të tij, të cilët u patën larguan nga VV-ja. /Ballkani.info/






