Partneri i VV-së

A do të vazhdojë kapja? Zyrtarja e lartë e Listës Guxo, në garë të ngushtë për anëtare të bordit në Komisionin për Miniera

Miqtë e farefisi nuk dolën të jenë vetëm për dasma. Njëjtë siç për dasma nuk po dalin të jenë as zyrtarët e afërt me pushtetin.

Si familjarët, si zyrtarët e lartë të partive në pushtet, po vazhdojnë të emërohen e të marrin pozita nëpër ndërmjarrje publike e institucioneve të pavarura.

Një situatë e tillë po del se vazhdon edhe në Bordet e ndryshme. Rasti që ndodhi së fundmi është Bordi i Pavarur për Miniera e Minerale.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se ka miratuar listën me gjashtë emra të kandidatëve për Bordin e Pavarur për Miniera e Minerale, prej të cilëve Kuvendi do t’i zgjedhë tre prej tyre.

Emrat e dërguar në Kuvend nga qeveria janë: Habib Basholli; Nasuf Mjekiqi; Bahri Karaça; Avdi Mjeku; Hasan Preteni; Kaltrinë Demiri.

Kaltrina Demiri është njëra nga kandidatet kryesore për t’u emëruar në bordin e këtij institucioni.

Demiri edhe zyrtarisht e publikisht nuk e fsheh aktivitetin e saj politik. Madje, në faqen zyrtare të Listës Guxo, ajo figuron si anëtare e kryesisë së degës së Prishtinës, raporton Nacionale.

Ajo në rrjetet sociale, nuk e ka fshehur se i takon këtij subjekti politik.

Merr pjesë në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, takohet me deputetin Haxhi Avdyli, e ministrat Donika Gërvalla e Faton Peci.

Mbetet të shihet nëse përkrahja masive për Guxon, do t’i shpërblehet edhe me votë në Kuvend.

Kapjet e tjera

Vetëm brenda një muaj partia në pushtet ka vendosur njerëzit e saj në krye të Bankës Qendrore të Kosovës dhe në Korporatës Energjetike e Kosovës.

Hiç me larg se dje është emëruar ushtrues i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut aktivist i VV-së, Bekir Gërgurin.

Ndërsa, në një pozitë më poshtë, atë të Zv. Kryeshefit Ekzekutiv, është emëruar Ramadan Budakovën.

Bekir Gërguri kishte kandiduar për asambleist të Vetëvendosjes në Komunën e Fushë Kosovës. Ky i fundit, në këtë pozitë e ka zëvendësuar Nagip Krasniqi, i cili po ashtu ishte zyrtar i VV-së.

Ndërsa, një muaj me parë, pushteti i Kurtit ka rrumbullaksuar “kapjen” e BQK-së, duke e emëruar zv/guvernator në këtë institucion Milot Cakajn, i cili në mandatin e parë të Qeverisë Kurti kishte qenë këshilltar i kryeministrit.

Pas Bashkim Nurbojës që ishte kandidat për deputet e për kryetar të Pejës nga VV-ja, dhe pas Nexhat Kryeziut gjithashtu kandidat për deputet, një tjetër i afërt me pushtetin është dërguar në BQK.

Fjala është për Milot Cakajn. BQK-ja ka njoftuar se Cakaj është emëruar zv/guvernator në këtë institucion.

Përzgjedhja është bërë sipas kërkesave të Ligjit të BQK-së përmes një procesi konkurrues dhe meritor, me propozim të Guvernatorit. Zëvendësguvernatorët e emëruar znj. Nesrin Shileku – Shala dhe z. Milot Cakaj do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme. Të tre zëvendësguvernatorët së bashku me Guvernatorin përbëjnë Bordin Ekzekutiv, vendimet e të cilit janë kolegjiale”, ishte thënë në njoftimin e BQK-së.

Cakaj në mandatin e parë të Qeverisë Kurti kishte qenë këshilltar i kryeministrit. Për këtë, ishte njoftuar edhe zyrtarisht.

Nacionale kishte raportuar në vazhdimësi për kapjen publike që pushteti ia bëri Bankës Qendrore të Kosovës.

Fillimisht në Bord u dërguan dy anëtarë të Vetëvendosjes si Bashkim Nurboja e Nexhat Kryeziu, e gjithashtu edhe Nora Latifi-Jashari që ishte dikur drejtoreshë në Institutin GAP.

Pas skadimit të mandatit të Fehmi Mehmetit, guvernator në BQK u emërua nga Kuvendi, Ahmet Ismaili. Madje, kontradikta ishte sepse në konkursin e parë që ishte shpallur, Kuvendi kishte vlerësuar se Ismaili nuk i plotëson kushtet, e në konkursin e dytë ai u zgjodh guvernator.