A do të shtyhet sërish fillimi i vitit të ri shkollor, flet ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Ministria e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se të hënën e javës së ardhshme do të ketë mbledhje Task Forca në nivel të Ministrisë së Arsimit për të diskutuar për fillimin e vitit të ri shkollor.

Nagavci tha se shtyrja e fillimit të vitit të ri shkollor është bërë me rekomandim të insitucio9neve shëndetësore.

Më tutje ministrja deklaroi se zyrtarisht viti i ri shkollor është i pafilluar.

“Ka qenë rekomandimi i IKSHPK-së, që fillimi i vitit të ri shkollorë të pezullohet deri më 26 shtator. Janë gjithsej 18 ditë të humbura të fillimit të vitit të ri shkollor. Të hënën është mbledhja e Task Forcës në kuadër të ministrisë ku do të diskutohet edhe për çështjen e kompensimit të këtyre ditëve. Sa i përket zhvillimit të mësimit, aktualisht ka disa shkolla edhe private që kanë filluar aktivitet me fëmijë. Zyrtarisht viti i ri shkollor është i pafilluar dhe këto ditë do të kompensohen edhe në koordinim me Task Forcën”, ka thënë ajo.