A do të jetë fati i Demarkacionit me Malin e Zi, si ai i marrëveshjes së para një jave me Serbinë?

Kurti po tenton ta rikthejë në diskutim çështjen e demarkacionit me Malin e Zi edhe pse kanë kaluar katër vite që kur është ratifikuar në Kuvend. Në anën tjetër, Abazoviqi po e konsideron si punë të kryer këtë temë. Por, a është Kosova e gatshme për të rishikuar marrëveshjen me malazezet për demaskimin e vijës kufitare, këtë do të mund ta kuptoni në këtë shkrim prodhim i Syri.net Kosova

Janë bërë katër vite nga ratifikimi i Marrëveshje së demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, fatkeqësisht ky proces po konsiderohet ende i papërfunduar.

Marrëveshja e nënshkruar në 2015 nga Kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa në Vjenë, parashihte rishikimin e vijës kufitare dhe do të bëheshin korrigjime nëse ka pasur lëshime.

E këto ndryshime po i mendon tani Kryeministri Albin Kurti, ku para disa javësh deklaroi se po e pret qeverinë e re në Mal të Zi që të fillojnë takimet e përbashkëta ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj malazeze, për të vendosur në diskutim çështjen e Demarkacionit me këtë shtet, i ratifikuar katër vite më parë.

“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë”.

“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, theksoi Kurti

Por, ndryshe nga kryeministri kosovar, po mendon homologu i tij nga Mali i Zi, Dritan Abazoviq. Ky i fundit ka thënë që çështja e Demarkacionit të kufirit me Kosovën ka marrë fund.

“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë ai.

Abazoviq këtë deklaratë e bëri vetëm dy javë pasi u zgjodh kryeministër i Malit të Zi para dy javëve. Ai para se të zgjidhej kishte thënë se çdo çështje është e hapur në diskutimet me Kosovën, por tani ka thënë se ajo temë është mbyllur në momentin kur është nënshkruar.

Por, Qeveria e Kurti 2, është e vendosur që çështjen e rishikimit të marrëveshjes me Malin e Zi ta çoj për para.

Zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, ka folur për Syri.net Kosovën, duke e konfirmuar se Prishtina zyrtare tashmë është e gatshme për të negociuar sërish me Podgoricën rreth demarkimit të vijës kufitare, por që janë në pritje të reflektimit të shtetit fqinj malazez.

“Siç është deklaruar kryeministri Kurti në Kuvendin e Kosovës, dy vendet duhet të formojnë komisionin e përbashkët për rishikimin e marrëveshjes dhe korrigjimin e gabimeve, komision ky që duhet të formohet në momentin më optimal politik për të dyja vendet. Komisioni do të përbëhet nga ekspertë të fushës dhe do të punojë sipas dokumenteve dhe raportit të të gjeturave. Duhet të presim fillimisht që formohet komisioni nga pala malazeze e pastaj të koordinohet aktivitetet në terren. Në anën tjetër, ne jemi gati. Për ne dokumentet janë të qarta. Për ne gjithashtu është me rëndësi që edhe presidentin i Malit të Zi, Gjukanoviq ka shprehur gatishmëri për këtë çështje dhe besojmë që edhe qeveria e re e Malit të Zi do të reflektojë”, tha Kryeziu.

Po ashtu, Kryeziu nënvizoi se edhe në të kaluarën Vetëvendosja e ka kundërshtuar marrëveshjen e arritur dhe se vazhdon ta mbajë të njëjtin qëndrim.

“Ju e dini se mes viteve 2015-2017, atëherë kur pala malazeze ishte e gatshme për rishikim të marrëveshjes, pala kosovare ka pasur hezitime për një gjë të tillë. Si Lëvizje Vetëvendosje!, në konsultim me ekspertë të fushës e kemi kundërshtuar versionin e nënshkruar. Në Qeverinë e Kosovës është aprovuar raporti me mbi 800 faqe dhe qindra fakte hartografike. Qëndrimi ynë atë kohë ka qenë që së pari të bëhet rishikimi e pastaj ratifikimi i marrëveshjes. Qeveria e atëhershme veproi gabimisht, duke ratifikuar marrëveshjen, para se të bëhet rishikimi e korrigjimi. Tani duhet të koordinohemi me palën malazeze për aktivitetet e mëtejme. Ne do të bisedojmë me ta dhe në momentin e përshtatshëm e të duhur do të veprojmë. Ne jemi edhe të gatshëm edhe në pritje”, theksoi për Syrin zëdhënësi për media i qeverisë, Përparim Kryeziu .

Po mbrëmë në një intervistë për Syri Televizion, i pari i ekzekutivit kosovar, deklaroi se nuk guxim për të falur tokë.

“Unë nuk kam guxim që të jap tokë të Kosovës, edhe mendoj që është shumë mirë që është kështu. Ka pasur ashtu liderësh edhe në histori, edhe në aktualitet, ka dhe të gjallë dhe të vdekur që kanë qenë të gatshëm që ta japin tokë shqiptare. Unë atë guxim nuk e kam. Edhe jo vetëm që nuk e kam atë guxim, por nuk e kam as atë imagjinatë. Se lëre më… dëshirë apo kalkulim. Unë jam këtu që të mbroj, jo të humbas. Mund të jap diçka timen private personale nëse ke nevojë, mirëpo diçka që i takon kombit, diçka që i takon shtetit, unë s’jap.  E këto negociata, këto marrëveshje që po thuhen, kërkojnë liderë ‘kompromisaxhi’ që ju nënshtrohen trysnive dhe ‘kalërojnë’ në pushtet në kurriz të shtetit. Ai 50.3 për qind i vitit të kaluar është pikërisht për kështu siç jam dhe nuk janë këto llafet e kafenesë. Unë besoj se në politikë dhe në gjeo-politike. Është kthyer historia si asnjëherë më parë që nga rënia e Murit të Berlinit dhe unë besoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm për mësimet që duhet të nxjerrim nga historia”, u shpreh Kurti.

Në anën tjetër, ish ish-presidenti malazez, Filip Vujanoviq, ka hedhur poshtë një mundësi korrigjimi të kësaj marrëveshje, pasi tashmë kjo është punë e kryer.

“Marrëveshjen Malit të Zi e ratifikoi shpejt dhe ju kujtohet se Kuvendi i Kosovës e bëri këtë pas vitesh keqkuptimesh të brendshme dhe vonesave të shumta.

Për mendimin tim, një keqkuptim i tillë erdhi si pasojë e statusit të pashpjeguar sa duhet të njerëzve që jetojnë pranë kufirit shtetëror. Nuk ka asnjë shembull të krijimit të një shënjimi të kufirit shtetëror për ta sinkronizuar atë me pronën private të disa personave. Ata që jetojnë pranë kufirit nuk duhet të kenë ndonjë vështirësi në përdorimin e pronës së tyre në vendet fqinje. Përkundrazi, njerëzit që jetojnë afër kufirit duhet të përdorin pa probleme pronën e tyre dhe të kenë njëfarë stimulimi nga të dy shtetet në zhvillimin e aktiviteteve të tyre bujqësore.

Do të ritheksoj se komisionet shtetërore kanë arritur një marrëveshje për kufirin dhe dy qeveritë e kanë ratifikuar. Ajo u nënshkrua në Vjenë në vitin 2015 me mbështetjen e madhe të ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme, më vonë kancelarit austriak Sebastian Kurtz. Dy parlamente kombëtare e kanë ratifikuar marrëveshjen dhe tani duhet ta zbatojmë përmes punës së përbashkët të Komisionit Kombëtar për ekspertët e demarkacionit” ka deklaruar Vujanoviq për mediat në Kosovë.

‘Kosova është gati me letra për rishikimin e marrëveshjes’

Ndërsa Florim Isufi, i cili ishte pjesë e Komisionit shtetëror të emëruar nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, thotë se vetëm me vullnetin e mirë të Malit të Zi, mund të ketë rishikim të kësaj vije të demaskimit, pasi në të kaluarën ishte Kosova që nuk iu përgjigj ftesës së Malit të Zi për rishikim.

“Nuk po them se ka pasur zhagitje nga Mali i Zi, por nuk ka qenë prioritet parësor për të pasur rishikim sipas ligjit që u miratua n Kuvendin e Kosovës. Sepse në të kaluarën ishte vet shteti fqinj që ftonte Kosovën të shkonim për të rishikuar marrëveshjen, por pala jonë nuk ishte e gatshme. Tani varet nga Malin e Zi nëse duhet të bazohet në raportin e gjetjeve, sepse aty janë gjetjet që duhet përmirësuar, e pala malazeze nëse nuk pranon, është vështirë që të përmirësohen. Vija kufitare nuk mund të përcaktohet ose nuk mund të shënjohet, nëse nuk janë dy palët dakord”, thotë Isufi.

Isufi shtoi se me Qeverinë Kurti 2 kanë punuar edhe në grumbullimin e materialeve edhe për një demarkim më Serbinë dhe kurdo që do të hedhet si teme, Kosova është e gatshme të flas me fakte.

“Si në Kurti I edhe në Kurti II kemi grumbulluar materiale që flasin për vijën kufitare të Kosovës me secili shtet, e sidomos me Serbinë, tani vendi ynë kurdo që do të hapet tema për defininimin e kufirit me shtetin serb kemi fakte se si duhet jetë saktë. Kosova nuk duhet të nxitohet në miratimin e një demarkimi pa pëlqimin e gjitha palëve. Duhet të imponoj fillimin e caktimin të kufijve bazuar në njësinë territoriale siç ka qenë në ish Jugosllavi në 1945-46″”, nënvizoi Isufi.

Profesor Isufi bëri me dije se është i gatshëm të kontribuojë në këtë drejtim duke qenë pjesë e komisionit të ri, pa marrë parasysh kush është në qeverinë e Kosovës.

Nën tymin e gazit lotsjellës bëhet ratifikimi

Me 25 gusht 2015 Kosova dhe Mali i Zi patën nënshkruar në Vjenë marrëveshjen për kufirin shtetëror në mes këtyre dy shteteve.

Marrëveshja ishte nënshkruar atë kohë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa nga pala malazeze kishin nënshkruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshiq, e ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.

Presidenti Hashim Thaçi, atë kohë ministër i Punëve të Jashtme pati thënë se marrëveshja është në “përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Presidentit Martti Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën, për Malin e Zi por edhe për tërë rajonin, që dëshmon se rajoni ka hyrë në një periudhë të bashkëpunimit dhe po ecën sigurt në rrugën e integrimeve euro-atlantike”.

Nga viti 2015 e deri në vitin 2018, Lëvizja Vetëvendosje si parti opozitare, por edhe partitë tjera opozitare, e kundërshtuan ashpër Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Kundër kësaj marrëveshjeje u organizuan protesta të shumta, si në sheshe po ashtu edhe në sallën e Kuvendit.

Nën tymin e gazit lotsjellës, më 21 mars të vitit 2018, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, që konsiderohej si kriter për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Çfarë përmban marrëveshja për Demarkacionin në mes Malit të Zi dhe Kosovës

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë të Austrisë, është plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy ish-presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi, Filip Vujanoviq.

Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.

Sipas partive opozitare në atë kohë, Kosova nga ky proces ka humbur rreth 12 mijë hektarë tokë, ndërsa qeveria ishte e bindur se nuk humbë asnjë metër katrorë.

Draft-marrëveshjen e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi i cili përmban 12 nene të cilat e rregullojnë çështjen e kufirit të këtyre dy shteteve.

Në hyrje të Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes Malit të Zi dhe Kosovës thuhet se kjo ujdi arrihet “Duke e dëshiruar zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve të mira miqësore dhe fqinjësore”.

Më tutje thuhet se bazuar në këtë marrëveshje shtetet duhet të përmbushin disa obligime dhe se zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duhet bërë me mjete paqësore, pa kërcënime ose pa përdorim të forcës.

“Të udhëhequr nga dëshira për të përmbushur me ndërgjegje obligimet e tyre të pranuara sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, sidomos duke pasur parasysh respektimin e parimit të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë politike, dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me mjete paqësore, pa kërcënime ose pa përdorim të forcës”.

Në nenin e dytë të kësaj marrëveshjeje tregohen dokumentet mbi të cilat janë caktuar pikat e kufirit.

“Kufiri shtetëror në mes palëve shtrihet nga pika e tre kufijve me koordinata Y=7447537,16 dhe X=4743430,07, Mali i Zi, Republika e Kosovës e Serbisë në pjesën veriore, deri te pika e tre kufijve e Malit të Zi, Republikës së Kosovës, Republikës së Shqipërisë, në anën jugore me koordinata Y=7424584,69 dhe X=4712809,49. Koordinatat janë në sistemin koordinatë “GAUSS KRUGER”.

Të dhënat mbi shtrirjen e kufirit shtetëror, janë të përfshira në dokumentet vijuese kufitare të cilat janë pjesë përbërëse e kësaj Marrëveshjeje:

Harta topografike në shkallën 1:25000 me vijën kufitare dhe koordinatat e pikave kthyese;

Përshkrimi tekstual të shtrirjes së kufirit shtetëror në mes të Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës; në rast të mospajtimit të përshkrimit tekstual të kufijve shtetëror dhe hartave topografike mbizotëron përshkrimi tekstual i kufirit shtetëror”.

Në nenin e tretë janë arsyet që shpjegojnë pse kjo marrëveshje duhet të mbetet e pandryshuar.

Palët janë të pajtimit që pozita e kufirit shtetëror, e përcaktuar në datën e nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, mbetet e pandryshuar pavarësisht nga ndryshimet që mund të ndodhin në përrenjtë në terren, për shkak të shkaqeve natyrore ose artificiale.

Çdo ndryshim artificial i kufirit shtetëror ekskluzivisht i nënshtrohet marrëveshjes paraprake të palëve, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Palët sigurojnë që të gjitha punimet e mundshme hidroteknike në lumenjtë kufitarë dhe përrenjtë, të cilët mund të kenë ndikim në ndryshimin e rrjedhës së ujit, do të kryhen vetëm me marrëveshje të ndërsjellë. Për të shmangur erozionin dhe ndryshimet e shtretërve të lumenjve dhe shtretërve të përrenjve përgjatë vijës së përbashkët kufitare, palët janë pajtuar që ata nuk do të bëjnë prerjen e drunjve, shkurreve dhe malit në sektorët për të cilat janë përgjegjës.

Në nenin e gjashtë kjo marrëveshje shpjegon detyrat e komisioneve shtetërore të të dy shteteve.

Komisionet shtetërore të kufijve të palëve nxjerrin Udhëzimin e përbashkët për shënjimin e kufirit shtetëror, për mirëmbajtjen e vijës kufitare, të shenjave kufitare dhe të brezit kufitar.

Në nenin e nëntë thuhet se:

Mosmarrëveshjet eventuale lidhur me interpretimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje zgjidhen nga qeveritë e palëve, në rrugën diplomatike.

Ndërsa në nenin 12-të dhe atë të fundit të kësaj marrëveshjeje thuhet:

“Kjo marrëveshje i nënshtrohet ratifikimit dhe hyn në fuqi pas shkëmbimit të njoftimeve të fundi me shkrim, nëpërmjet rrugëve diplomatike, me të cilën palët njoftojnë njëra-tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore për hyrjen e saj në fuqi”.