A do të jap dorëheqje ministri Beqaj për konfirmimit të aktakuzës në rastin “Pronto”?

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar sot aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”.

Kështu, kjo gjykatë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

“Departamenti i Krimeve të Rënda ka marr aktvendim me të cilin ka refuzuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave të ushtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve A.G, A.P, XH.D, I.G, S.G, B.B, N.K, Z.P, F.SH, I.N. dhe R.A, duke i cilësuar si të pabazuara. Të akuzuarit A.G, A.P, XH.D, I.G, S.G, B.B, N.K, Z.P, F.SH, I.N dhe R.A akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes nga neni 31 i KPRK-së kanë kryer veprën penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në tentativë nga neni 193 par.4 lidhur me par.l dhe lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thekson Gjykata Themelore.

Pra në mesin e të akuzuarve që iu konfirmohet aktakuza është edhe një ministër dhe një deputet. Besim Beqaj është ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ndërsa Zenun Pajaziti është deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Ballkani.info ka tentuar të flas me ministrin Beqaj për ta pyetur nëse do të jap dorëheqje nga kjo pozitë pas ngritjes së aktakuzës, por ai nuk është përgjigjur në telefonatat tona.

Në rastin “Pronto”, Besim Beqaj dhe Adem Grabovci akuzohen se kishin marrë kompetenca të plota që në krye të tri ndërmarrjeve publike, PTK, Infrakos dhe Traikos të vendoseshin njerëzit që përfaqësonin interesat e tyre. /Ballkani.info/