A do të dorëzohet sot Albin Kurti përballë presionit publik, që t’i paguajë mësimdhënësit?

Me mijëra mësimdhënës janë ndëshkuar për grevën nga Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, me urdhër të të cilit, Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar pagën e muajit shtator.

Ky është një vendim i paprecedent në historinë e pasluftës në Kosovë dhe një mesazh për çdokënd që synon që përmes grevës të kërkojë realizimin e ndonjë të drejte të tij, shkruan Demokracia.com.

Ky vendim i Kurtit erdhi në ditën e parë kur filloi procesi mësimor, pasi mësimdhënësit vendosën të pezullojnë grevën për disa muaj, deri në janar 2023 dhe u pa si një “thikë pas shpine”.

Me mijëra familje kosovare që burim të të ardhurave kanë pagën e mësuesit, janë në ankth nëse deri më 5 tetor do të marrin pagën e muajit shtator.

Të hënën e 3 tetorit, edhe kabineti i kryeministrit Albin Kurti, por edhe shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, e kanë thënë hapur dhe pa nënkuptime: nuk do të ketë paga për grevistët.

Urdhri i kryeministrit Kurti dhënë vartësit të tij në Ministrinë e Financave, Hekuran Muratit, është jo vetëm në kundërshtim me nenin 13 të Ligjit për Grevat, për të cilin ka raportuar disa herë Demokracia.com.

Përveç kësaj, urdhri i kryeministrit Kurti për të ndëshkuar mësimdhënësit është jonjerëzor, pasi vendi po përballet me çmime të larta të të gjitha produkteve të shportës së zakonshme dhe jo vetëm. Aktualisht, inflacioni ka shkuar në rreth 20%.

Ky urdhër i Kurtit është kundërshtuar fuqishëm në opinionin publik, përfshirë edhe nga deputetë të koalicionit qeverisës, që kanë ngritur zërin kundër tij.

Tashmë mbetet të shihet nëse Kurti do të zmbrapset nga urdhri i tij apo do të hyjë në historinë e Kosovës si kryeministri i parë që ndëshkon mësimdhënësit?