A do të bëhet javën e ardhshme qeveria apo do t’i hapet rrugë zgjedhjeve të reja?

Edhe pse kanë ikur tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për formimin e qeverisë së re, edhe pse premtuan se këtë do ta bëjnë 72 orë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Krerët e këtyre dy partive, Albin Kurti e Isa Mustafa edhe pse mbajtën disa takime për disa javë me radhë, ata nuk arritën të dakordohen që të lidhin marrëveshje dhe të formojnë qeverinë, për çka fajësuan njëri-tjetrin.

Nga takimet “kokë me kokë” që nuk sollën rezultat, së fundmi të dy liderët janë “gjuajtur” me letra ku kanë treguar ofertat e tyre të fundit në të cilat janë barrakaduar, por që “mollë sherri” tashmë është bërë posti i kryekuvendarit, kjo pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës në këtë post, falë votave të LDK-së.

Partia e Isa Mustafës po e dëshiron me çdo kusht këtë pozitë derisa ta marrë postin e presidentin në 2021-tën, e më pas t’ia kthej VV-së, por kjo e fundit deri më tani është deklaruar kategorikisht kundër, ndërsa vet kryekuvendari Konjufca deri më tani nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë çështje.

Kurti në letrën e fundit dërguar Mustafës i ka bërë thirrje të takohen dhe të arrijnë marrëveshje, por ky i fundit sot ka deklaruar se s’do të ketë takime të tjera me kreun e VV-së nëse s’ka pajtim për arritjen e një marrëveshjeje.

Këto deklarime të tyre janë pak shpresëdhënëse se VV e LDK do të arrijnë një marrëveshje për koalicion bashkëqeverisës. Për t’u arritur kjo duhet njëra prej partive të lëshojë pe.

Megjithatë nesër mund të ketë sadopak një qartësim, pas mbeldhjes së Kryesisë së Kuvendit që është thirrur për ora 10:00, ku pas këtij takimi, kryekuvendari Glauk Konjufca pritet të pyetet nga mediat, nëse do t’ia lirojë pozitën LDK-së për t’i hapur rrugë marrëveshjes, në të kundërtën të dy subjektet nuk e kanë përjashtuar zgjedhjet e reja.

Kujtojmë se sot Hashim Thaçi sot ka nisur të bëjë presion të ri mbi Albin Kurtin për ta pranuar mandatin për formimin e Qeverisë. Shefi i Shtetit tha sot se po planifikon ta mandatojë fituesin e zgjedhjeve edhe nëse s’i shkon emrin në Presidencë.