Milan Radojiçiq

A do ta gjykojë Serbia Radojiçiqin?

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq është në Serbi, tha vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq të mërkurën në mbrëmje, në një intervistë për televizionin RTS.

Ishte një konfirmim i pazakontë i Vuçiqit që Radojiçiqi udhëhoqi një grup të armatosur, i cili të dielën bllokoi rrugën afër Banjskës, vrau një polic të Kosovës dhe mori pjesë në shkëmbimin e zjarrit rreth manastirit gjatë gjithë ditës.

Vuçiqi nuk e tha por as nuk e mohoi nëse Radojiçiq do të gjykohet. Ai vetëm shtoi se Radojiçiqi do t’u “përgjigjet pyetjeve”. Me sa duket, të paktën disa anëtarë të tjerë të grupit të armatosur janë në dispozicion të autoriteteve serbe.

Vuçiqi la të kuptohej se kishte “dëshmitarë” që gjoja kishin parë se dy serbë nga grupi u vranë gjakftohtësisht dhe konfirmoi se disa persona ishin pranuar në spitalin e Novi Pazarit.

Por çfarë do të ndodhë me këta persona tani? A do të ndiqen penalisht Radojiçiqi dhe të tjerët në Serbi? Këtu Vuçiqi nuk u përgjigj.

“Milan Radojiçiq nuk u fsheh kurrë. Ai do t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve të Republikës së Serbisë. Ai është një njeri që e konsideron veten luftëtar të lirisë. Por ka gjëra dhe pyetje për të cilat ai duhet të përgjigjet”, tha presidenti.

Kryeredaktori i të përjavshmes “Vreme”, Filip Shvarm thotë se ishte një mesazh për Radojiçiqin që “vullnetarisht” të jepte një deklaratë për autoritetet serbe. “Ndoshta, të gjithë këta njerëz do të japin disa deklarata, por unë jam pothuajse i sigurt se asgjë nuk do të ndodhë”, thotë Shvarm për “Deutsche Wellen”.

Në shërbim të politikës

Situata është pikante edhe ligjërisht. Nga këndvështrimi i Beogradit, përleshja e përgjakshme në Banjskë ka ndodhur në territorin e Serbisë – por në atë pjesë ku nuk ka kontroll efektiv. Ishte qeveria e Vuçiqit ajo që ra dakord me marrëveshjet e Brukselit që gjyqtarët, prokurorët dhe policët serbë të kenë akses në institucionet e Kosovës.

Këto institucione nuk bashkëpunojnë fare me institucionet e Serbisë – sepse Serbia dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën. Edhe sikur të donin politikisht, Beogradi dhe Prishtina nuk kanë asnjë kornizë ligjore për të ekstraduar të akuzuarit e njëri-tjetrit apo për të shkëmbyer prova, shpjegon avokati Ivan Niniq.

Mirëpo, pavarësisht nga këto probleme, Niniq pohon se informacionet e disponueshme publike janë të mjaftueshme që prokuroria serbe të hapë një rast për Banjskën.

“Serbia nuk mund ta karakterizonte këtë si akt terrorizmi, sepse nuk e njeh Kosovën, por fillimisht mund të gjente një kualifikim më të butë – për shembull, posedim dhe mbajtje të paautorizuar të armëve, të formojë një rast dhe të fillojë të mbledhë informacione, ndoshta edhe të ndalojë dikë në arrest”.

Por çështja nuk është e shkëputur nga politika. Prandaj Niniqi në intervistën e tij për DW supozon se ajo që Radojiçiq dhe të tjerët u thonë hetuesve serbë do të dakordohet paraprakisht me regjimin në Beograd dhe me shërbimin sekret BIA.

“Një strategji e mundshme daljeje për Vuçiqin – por edhe për Radojiçiqin dhe personat e tjerë që padyshim janë duke iu nënshtruar trajtimit spitalor – do të ishte një marrëveshje me prokurorinë për të pranuar njëfarë faji. Kështu do të shkonin në burg dhe praktikisht do të shpëtoheshin”, thotë Niniq.

“Kjo është parë shumë herë kur bëhet fjalë për persona nga bota e krimit – ata dënohen për armëmbajtje pa leje, ose falsifikim dokumentesh, për të parandaluar ekstradimin në një vend tjetër apo ndjekjen penale për krime më të rënda”, shton avokati.

Vuçiqi në vilajetin e errët

Politikisht situata është edhe më interesante. Në mesin e serbëve të Kosovës, tre personat e vrarë në përleshje me policinë konsiderohen si “heronj” ose të paktën “dëshmorë”. Vuçiqi nuk i përdori këto terma, por tha se i kupton njerëzit që morën pushkët dhe etiketoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe “terrorin” e tij ndaj serbëve si fajtorin e vetëm”. Çështja u shtjellua më tej nga tabloidët e afërta me autoritetet serbe.

“Sigurisht, Vuçiq është në një situatë ku – siç thotë ai vetë – çfarëdo që të bëjë nuk do të funksionojë”, thotë Filip Shvarm. Sepse, siç shton gazetari, Lista Serbe dhe Radojiçiq si faktor i rëndësishëm janë pikërisht produkt i politikës së Vuçiqit. Vuçiqi tani as nuk mund t’i lëshojë nga dora plotësisht dhe as t’i përqafojë plotësisht.

“Banjska e vendosi atë tani në një pozitë kur duhet të justifikojë veten dhe t’ia hedhë fajin dikujt tjetër. Tani për tani, ai zgjodhi të fajësojë Kurtin, por do të thosha se kjo nuk mjafton për Perëndimin”, thotë Shvarm.

Ai mendon se edhe shpallja e papritur e zgjedhjeve në 17 dhjetor, e cila u paralajmërua edhe në një intervistë në RTS, është një veprim i detyruar, me të cilin Vuçiqi edhe një herë do të fitonte kohë. “Shkurtimisht, Vuçiqi shpreson që Radojiçiq nuk do të jetë tema kryesore në fushatën zgjedhore”, shton redaktori i gazetës Vreme.

Avokati Niniq nuk është i bindur se kjo taktikë do të funksionojë në Perëndim. Ai thotë se Serbia do të jetë nën presion të madh për të gjykuar seriozisht Radojiçiqin dhe të tjerët. “Kjo tani është një barrë mbi supet e gjithë kombit, sepse ne mund të bëhemi një shtëpi e sigurt për Radojiçiqin. Ndërsa nëse sakrifikon Radojiçiqin, Vuçiqi do të priste degën në të cilën është ulur”, përfundon Niniq.

Serbët e arrestuar në Kosovë akuzohen për terrorizëm dhe sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës. Po ata që dezertuan në Serbi? Deri më tani, asnjë prokurori serbe nuk ka njoftuar asgjë për këtë rast dhe nuk ka njoftime se kanë nisur hetimet. /dw