Pogba ‘thumbon’ sërish Mourinhon
Raportet jo të mira mes Pogbas dhe Mourinhos nuk kanë qenë një sekret, ndërsa mesfushori francez ka kritikuar tërthorazi trajnerin portugez.
Edhe njëherë tjetër, Pogba ka krahasuar formën aktuale të Manchester Unitedit me atë të drejtuar nga Mourinho, duke thënë se “Djajtë e Kuq” kanë gjetur identitetin e tyre me Ole Gunnar Solskjaer.
Pogba ishte rikthyer në “Old Trafford” në vitin 2016 për shifrën rekord të 100 milionë eurove, kurse në atë edicion trajner te Unitedi ishte emëruar edhe “The Special One”.
Pavarësisht suksesit fillestar, marrëdhëniet mes lojtarëve dhe trajnerit filluan të thyheshin, gjersa vendimi për shkarkimin e Mourinhos u mor pas humbjes kundër Liverpoolit në mesin e dhjetorit.
“Në mënyrën sesi po luajmë tani na mundëson të kemi më shumë posedim të topit. E dimë se ku duhet të sulmojmë, kemi më shumë ngjyrë loje dhe strukturë. Kjo e bënë më të lehtë për të gjithë, kështu që nuk do të thoja se jam përmirësuar vetëm unë. E vërtetë se kam shënuar disa gola dhe kam bërë disa asiste më shumë por e gjithë skuadra ka merita”, tha Pogba.
Fitorja e fundjavës së kaluar kundër Tottenhamit ka rritur gjasat e Manchester Unitedit për të përfunduar sezonin në vendin e 4-të, me Solskjaer që numëron 6 fitore nga 6 ndeshje në stolin e 20 herë kampionëve të Anglisë.
“Ishte gjë e madhe të riktheheshim dhe të afroheshim më shumë me kreun e tabelës. Kishim nevojë për pikë dhe treguam se mund të mposhtim edhe skuadra të mëdha. Nuk do të thoja se kemi fat sepse e kemi krijuar vetë atë. De Gea kishte një paraqitje të mirë dhe ne e falenderuam. Por në përgjithësi performanca e skuadrës ishte pozitive”, përfundoi Pogba.