Meta pritet nga arbëreshët e Kalabrisë

Presidentit shqiptar Ilir Meta po viziton Kalabrinë .
Presidentit shqiptar Ilir Meta i cili po viziton Kalabrinë i është rezervuar një pritje e ngrohtë nga udhëheqësit fetarë të Eparhias së Ungrës dhe banorët me origjinë arbëreshe.

Presidenti Meta mirëpriti me kënaqësi propozimin e tyre për krijimin e një Këshilli që do të punojë për ruajtjen e zakoneve, tipareve dhe riteve identitare arbëreshe, duke premtuar mbështetjen personale e institucionale, sidomos në këtë Vit Mbarëkombëtar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Arbëreshët janë një pasuri e vyer, madje edhe ndërkombëtare, sepse ata ruajtën të paprekur zakonet, ritet, traditat, kulturën dhe gjuhën e kohës së madhe historike të Arbërit. Pa arbëreshët nuk do të kishte Rilindje Kombëtare shqiptare, madje as Shqipëria, dhe as Kosova nuk do të ekzistonin sot e kësaj dite” çmoi presidenti Meta, transmeton “Alsat M”.

Më pas ai mori pjesë në meshën e shenjtë përkujtimore të mbajtur në Katedralen e Lungros për nder dhe në kujtim të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. “Gjergj Kastrioti Skënderbeu jo vetëm i bashkoi shqiptarët, por me të krenohej mbarë Europa. Ai i frymëzoi shqiptarët gjatë Rilindjes Kombëtare për të kurorëzuar shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912.

Me shembullin e frymën e tij, shqiptarët u ndjenë edhe më europianë” tha zoti Meta.

Gjatë kësaj meshe të përshpirtshme Presidenti i Republikës vlerësoi Imzot Donato Oliverio me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Me mirënjohje të thellë për veprimtarinë e çmuar dhe të pakursyer në mbështetje të bashkësisë arbëreshe në Itali.

Për përpjekjet e tij të pareshtura në ruajtje dhe përcjellje të riteve dhe të traditave kishtare në gjuhën arbëreshe”.